Ndërlidhjet

UNICEF: SHQIPËRIA ME NUMRIN MË TË MADH TË FËMIJËVE TË TRAFIKUAR


Alma Çupi, Tiranë

Ende në Shqipëri numri i fëmijëve dhe grave të trafikuara është më i madh krahasuar me vendet e tjera të rajonit. Mungojnë programe antitrafikimi dhe terreni social favorizon trafikantët. Ky është konkluzioni i raportit më të ri të nxjerrë nga një studim i përbashkët i UNICEF-it, OSBE-së, Zyrës për institucione demokratike të të drejtave të njeriut dhe Zyrës së komisionit të lartë të të drejtave të njeriut.
Matthias Kalusch, kryetari i agjencisë së antitrafikimit të prezencës së OSBE-së në Shqipëri, tha sot se shkaqet e parandalimit të pamjaftueshëm dhe të një lufte të vonuar kundër trafikimit të qënieve njerëzore janë disa:
"Nuk ka programe antitrafikimi në shkallë të gjerë, të cilat do t'u adresoheshin shkaqeve fillestare të trafikimit. Nuk ka pasur dhe nuk është zhvilluar një strategji afatgjatë parandalimi. Për rrjedhojë prezenca e OSBE-së në Tiranë do të vazhdojë zbatimin e programit për të drejtat e grave dhe të edukimit mbi trafikimin, me qëllim ndërgjegjësimin e shkollave të mesme dhe të grave që vijnë nga zonat rurale.
Përfaqësuesja e zyrës së UNICEF-it në Tiranë, Carrie Auer, thotë se trafikimi i fëmijëve shkaktohet prej mungesës së mjedisit mbrojtës për ta.
"Janë vajza adoleshente 15-16 vjeç që trafikohen për shfrytëzim seksual dhe fëmijë nën 13 vjeç, që shiten për punë të detyruar. Zakonisht këta fëmijë janë të pambrojtur dhe vijnë nga familje të varfëra dhe fëmijë që janë rritur në jetimore. UNICEF nuk e shikon çështjen e trafikimit si një çështje të veçuar dhe të izoluar, por si rrjedhojë të drejtpërdrejtë të abuzimit dhe neglizhimit të fëmijëve," tha përfaqësuesja e zyrës së UNICEF-it në Tiranë Carrie Auer.
Një nga konkluzionet e Agjencisë së Antitrafikimit të prezencës së OSBE-së në Tiranë, është se Shqipëria ka nevojë të bëjë një plan aksioni kombëtar, të cilin duhet ta zbatojë duke u bazuar në të drejtat e njeriut.






XS
SM
MD
LG