Ndërlidhjet

AHMETI: PAVARËSIA E KOSOVËS PRODHON SIGURI PËR MAQEDONINË DHE PËR RAJONIN


Alma Çupi, Tiranë

Partitë politike maqedonase dhe Shqiptare ndajnë mendimin se pavarësia e Kosovës prodhon siguri për Maqedoninë dhe për të gjithë rajonin. Kështu u shpreh sot në Tiranë kryetari i Partisë së Bashkimit demokratik për Integrim Ali Ahmeti, gjatë një takimi me politikanë, analistë dhe gazetarë.
"Edhe partitë opozitare maqedonase dhe ato shqiptare kanë shkuar edhe më larg sesa ne që qeverisim, duke thënë se pavarësia e Kosovës prodhon stabilitet, siguri dhe paqe për Maqedoninë, por edhe për rajonin."
Për Kosovën, sipas Ali Ahmetit, ky është një vit që do të hapen cështje shumë të rëndësishme, si ajo e statusit përfundimtar, ku negociatat dhe bisedimet do të jenë shumë intensive. Për të gjitha këto Ali Ahmeti, siguroi se Maqedonia do të mbështesë pozitivisht zgjidhjen e problemeve në Kosovë.
Përsa i përket çështjes së kufirit Maqedoni - Kosovë, kryetari i Partisë së Bashkimit Demokratik për Integrim Ali Ahmeti, tha se nuk është bërë si duhet menaxhimi i këtij problemi, me qëllim që të mos vështirësohet komunikimi në të dyja anët. Fakti që kosovarët kanë prona në kufirin maqedonas dhe anasjelltas, mund ta vështirësojë problemin. Ndaj, sugjeroi ai, duhet të bëhen bisedime konkrete me banorët dhe të ofrohen zgjidhje pa i dëmtuar ata.
"Mendoj që ky problem më tepër është bërë mediatik duke shfrytëzuar edhe anën emocionale nga të dyja anët e kufirit, sepse marrëveshja është nënshkruar mes Shkupit dhe Beogradit. Prishtina ka paraqitur pakënaqësi, sepse janë anashkaluar autoritetet vendase. Mirëpo unë e kam theksuar se duhet të bashkëbisedohet me popullatën lokale, vendase, që është rreth kufirit, për të mos marrë dimensione që të vështirësojnë komunikimin."
Kryetari i BDI-së Ali Ahmeti, erdhi në Tiranë me ftesë të kryeministrit Fatos Nano. Pas takimit të djeshëm me të, ai u shpreh se është për një Ballkan pa kufi.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG