"Kosovarët janë tani të pavarur", tha presidenti amerikan George Bush. Ai shtoi se njohja e shtetit të Kosovës nga Shtetet e Bashkuara do ketë në bazë planin e të dërguarit të Kombeve të Bashkuara, Martti Ahtisaari.
"Plani i Ahtisaarit është udhërrëfyesi ynë për të ecur përpara", tha Bush, duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve në Arusha të Tanzanisë.
Gjatë një interviste për rrjetin televiziv amerikan NBC, Bush tha se do priste të shihte si do ecnin gjërat gjatë ditës së sotme, por nënvizoi se pavarësia e Kosovës ishte diçka që ai e kishte mbështetur.
Kuvendi i Kosovës shpalli pasditen e djeshme pavarësinë e Kosovës, derisa tani pritet njohja nga vendet e tjera.
Ministrat e Jashtëm të vendeve anëtare të Bashkimit Evropian sot po debatojnë rreth shpalljes së pavarësisë së Kosovës.
Siç dihet, qëndrimet e vendeve të BE-së rreth njohjes së pavarësisë së Kosovës, nuk janë unike.
Agjencia sllovene e lajmeve sot ka bërë të ditur se në takimin e Brukselit, që e kryeson shefi i diplomacisë së këtij vendi, Dimitrij Rupel, ministrat do të miratojnë një deklaratë politike dhe konkluzionet, sipas të cilave, verifikohet përcaktimi i përbashkët për perspektiven evropiane të Kosovës, por duke mos përmendur fjalën pavarësi.
Ndërkohë, Dana Perino, zëdhënëse e Shtëpisë së Bardhë ka deklaruar se presidenti Bush, nesër, do t'u drejtohet gazetarëve me rastin e shpalljes së pavarësisë së Kosovës.
"Deklarata do të ketë të bëjë me Kosovën dhe me deklaratën e pavarësisë", ka thënë Dana Perino, gjatë udhëtimit me aeroplan nga Arusha për në Dar Es Salam.
Vihet në pah se presidenti Bush, këtë deklaratë do ta bëjë para largimit nga Ruanda.