Ndërlidhjet

Qeveria e Çekisë synon të bëjë vaksinimin e detyrueshëm për moshat mbi 60


Vaksinimi kundër COVID-19
Vaksinimi kundër COVID-19

Qeveria në largim e Çekisë po planifikon të urdhërojë vaksinimin e personave mbi moshën 60 vjeçare si dhe të bëjë vaksinimin e detyrueshëm për një grup profesionesh.

Kështu ka bërë të ditur Ministri i Shëndetësisë, Adam Vojtech të premten (më 3 dhjetor). Por, është e paqartë nëse masat do të vihen në fuqi nga pasardhësi i tij.

Vojtech tha se ministria e tij do të marrë vendimin që e bën vaksinimin e detyrueshëm për personat mbi moshën 60 vjeç si dhe stafin mjekësor, policët, zjarrfikësit dhe studentët e mjekësisë.

Ky urdhër do të ishte i paraparë të hyjë në fuqi në mars por mund të mos ndodhë kështu.

Administrata aktuale me kryeministrin Andrej Babis do të zëvendësohet nga një qeveri e re e formuar nga pesë parti që ka fituar zgjedhjet parlamentare në tetor dhe do të udhëhiqet nga kryeministri, Petr Fiala.

Qeveria e re pritet që të marrë detyrat e saj formalisht më vonë këtë muaj.

Koalicioni dhe Ministri i caktuar i Shëndetësisë, Vlastimil Valek, e kundërshtojnë vaksinimin e detyrueshëm për të moshuarit dhe mund ta anulojnë vendimin e qeverisë aktuale sapo të hyjë në fuqi.

Deri më tani, vetëm 59.6 për qind e popullsisë 10.7 milionëshe në Çeki janë vaksinuar plotësisht. Sipas anketës së fundit të publikuar të premten (3 dhjetor), më shumë se 20 për qind e çekëve janë kundër vaksinimit.

Ky shtet po përballet me një rritje rekorde të infektimeve me koronavirus. Rastet ditore arritën një shifër më të lartën deri më tani, me afër 28 mijë raste javën e kaluar.

Fiala u betua si kryeministër të dielën për ta udhëhequr një qeveri 18 anëtarëshe.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG