Zvicra e fiton Eurovisionin 2024

Nemo duke mbajtur në dorë lule pasi u shpall fitues i Eurovisionit 2024, 11 maj 2024.

Zvicra e ka fituar Festivalin e Këngës Eurovision 2024 të shtunën në Malmo të Suedisë, duke e lënë mbrapa Kroacinë, e cila ishte ndër kandidatet kryesore për ta fituar garën.

Festivali i sivjetmë, megjithëse u cilësua si festim i diversitetit evropian, ka marrë vëmendje politike, pas thirrjeve për përjashtimin e Izraelit nga gara për shkak të luftës së ushtrisë së tij në Rripin e Gazës, e cila u nxit nga një sulm vdekjeprurës më 7 tetor nga Hamasi – grupi i shpallur terrorist nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian.

Nemo, 24 vjeç, e fitoi garën me këngën “The Code”, e cila ka të bëjë me rrugëtimin e Nemos për ta zbuluar veten si një person jo-binar (dikush që nuk e identifikon veten as burrë, as grua).

Protestuesit propalestinezë duke marshuar kundër pjesëmarrjes së Izraelit para finales së Eurovisionit të shtunën në Malmo, Suedi, 11 maj 2024.

“Shpresoj se kjo garë do t’i përmbushë zotimet e veta dhe do të vazhdojë ta ngrejë zërin për paqe dhe për dinjitetit për secilin njeri në këtë botë”, tha Nemo, pasi e mori trofeun e Eurovisionit në skenë.

“’The Code’ ka të bëjë me rrugëtimin që e nisa duke e kuptuar se unë nuk jam as burrë, e as grua”, tha Nemo.

Triumfi i Nemos në Eurovision ishte i treti për Zvicrën në histori dhe i pari prej vitit 1988, kur e kishte fituar për Zvicrën këngëtarja kanadeze Celine Dion.

Baby Lasagna i Kroacisë, emri i vërtetë i të cilit është Marko Purisiq, doli i dyti me “Rim Tim Tagi Dim”, një këngë për një të ri, i cili largohet nga shtëpia me shpresë për t’u bërë “djalosh i qytetit” me mundësi më të mira.

Alyona Alyona dhe Jerry Heil nga Ukraina e zunë vendin e tretë.

Lexoni edhe këtë: Këngëtaret ukrainase në Eurovision me mision për rindërtimin e një shkolle

Eden Golan e Izraelit përfundoi e pesta në garë, me gjithë thirrjet e demonstruesve që Izraeli të përjashtohej nga festivali. Gjatë paraqitjes së saj pati fshikullima, por edhe duartrokitje.

Fishkëllimat u dëgjuan edhe kur juria izraelite i dha pikët e saj.

Disa mijëra protestues u mblodhën në qendër të Malmos para finales të shtunën, duke valëvitur flamuj palestinezë dhe duke brohoritur “Eurovisioni është i bashkuar nga gjenocidi” – si përgjigje ndaj sloganit zyrtar të festivalit “Të bashkuar nga muzika”.

Disa qindra njerëz protestuan më vonë pranë vendit ku u mbajt festivali, duke brohoritur “Eurovision, ju nuk mund të fshiheni, ju e mbështesni gjenocidin”.

Njëzet e pesë vende garuan në finalen e së shtunës, pasi artisti holandez Joost Klein u përjashtua pak para se të niste finalja, për shkak të një ankese që e kishte bërë një anëtar i ekipit të produksionit.