Tetë ushtarë izraelitë janë vrarë të shtunën nga një shpërthim në jug të Rripit të Gazës, njoftoi ushtria izraelite.
Ky ishte sulmi më vdekjeprurës ndaj forcave izraelite në muajt e fundit.
Sulmi i së shtunës ndodhi në Rafah, qytetin jugor të cilin Izraeli e ka identifikuar si bastionin e fundit të madh të Hamasit – grupit të shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian.
“Ata e dinin se mund t’iu duhej ta flijonin jetën, por e bënë në mënyrë që ne të jetojmë në këtë vend. I përshëndes ata dhe i përqafoj familjet e tyre”, tha ministri i Jashtëm i Izraelit, Israeli Katz, në një postim në rrjetin social X.
SHIKONI EDHE: Merr hov fushata në rrjetet sociale për kthimin e vëmendjes nga RafahuUshtria izraelite tha se shpërthimi ndodhi mëngjesin e hershëm në zonën Tal al-Sultan në Rafah.
Daniel Hagari, zëdhënësi i ushtrisë izraelite, tha se shpërthimi u shkaktua nga ndonjë mjet shpërthyes i vendosur nga Hamasi, apo nga ndonjë raketë antitanke.
Në janar, 21 trupa izraelite u vranë në një sulm të vetëm nga pjesëtarët e Hamasit në Gazë.
Izraeli e nisi luftën, duke u zotuar për ta shkatërruar Hamasin, pasi grupi radikal palestinez i vrau rreth 1.200 njerëz, kryesisht civilë, si dhe i rrëmbeu mbi 250 të tjerë gjatë sulmit të 7 tetorit në jug të Izraelit.
Më shumë se 100 pengje u liruan gjatë një armëpushimi njëjavor në nëntor, në këmbim të palestinezëve të burgosur nga Izraeli.
SHIKONI EDHE: Biden thotë se nuk pritet marrëveshje për armëpushim në Gazë në të ardhmen e afërtMë shumë se 37.000 palestinezë janë vrarë gjatë tetë muajve bombardime dhe sulme tokësore të Izraelit në Gazë, sipas Ministrisë së Shëndetësisë në enklavën palestineze, e cila udhëhiqet nga Hamasi.
Lufta e ka kufizuar dukshëm rrjedhën e ndihmave ushqimore, barnave dhe furnizimeve të tjera për palestinezët, të cilët po përballen me uri të madhe. Agjencitë e Kombeve të Bashkuara thonë se mbi 1 milion njerëz në Gazë mund të përjetojnë shkallën më të lartë të urisë kah mesi i korrikut.
Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden, tha këtë javë se nuk pret të arrihet një marrëveshje armëpushimi për luftën në Gazë në një të ardhme të afërt, pasi një propozim i mbështetur nga SHBA-ja dhe të tjerët, nuk është pranuar plotësisht nga Izraeli apo Hamasi.