Ushtria ukrainase tha se trupat ruse kanë hapur zjarr ndaj një konvoji që po evakuonte civilët nga qytetet e rrethuara ukrainase, duke vrarë shtatë persona.
Sipas autoriteteve ukrainase, në konvojin e sulmuar po udhëtonin gra dhe fëmijë, të cilët po largoheshin nga një fshat në veriperëndim të Kievit.
Sipas Ministrisë së Mbrojtjes së Ukrainës një prej viktimave është fëmijë.
Inteligjenca ukrainase tha se incidenti ndodhi në një korridor humanitar të hapur për të evakuuar civilët nga fshati Peremoha. Ky korridor, siç thanë autoritetet ukrainase, ishte hapur me pajtimin e dy palëve.
Russians shot at a column of women and children in Kyiv region, who were trying to evacuate along a previously agreed "green" corridor. The result of this brutal act - seven dead. One of them is a child.#RussianWarCrimesinUkraine #stoprussia
— Defence of Ukraine (@DefenceU) March 12, 2022
Inteligjenca tha po ashtu se banorët e tjerë që i shpëtuan këtij sulmi u detyruan që të ktheheshin në Peremoha dhe nuk po lejohen që të largohen nga ky fshat.
Ukraina në disa raste e ka akuzuar Rusinë se nuk po respekton marrëveshjet e armëpushimit për evakuimin e civilëve dhe po sulmon caqe civile.
Ndryshe, më herët gjatë të shtunës Shërbimi shtetëror i Emergjencës së Ukrainës tha se afër 2,000 civilë janë evakuuar nga rajoni i Kievit.
- Për t’u informuar rreth zhvillimeve më të fundit lidhur me Ukrainën, ndiqeni blogun tonë.