Ukraina forcon mbrojtjen e kufirit të saj me Bjellorusinë

Kufiri Ukrainë-Bjellorusi. Fotografi ilustruese nga arkivi.

Ukraina po forcon mbrojtjen e kufirit të saj me Bjellorusinë nga frika se Rusia mund të jetë duke përgatitur një sulm të ri, tha një zyrtar qeveritar.

Zëvendësministri i Brendshëm, Yevhen Yenin, tha për BBC-në se Ukraina do të forcojë kufirin me Bjellorusinë me forca të armatosura dhe municione.

Lajmi u bë i ditur teksa presidenti rus, Vladimir Putin, udhëtoi dje për në Minsk, për të takuar homologun e tij bjellorus, Alyaksandr Lukashenka.

Bjellorusia ndan kufirin me Rusinë dhe Ukrainën.

Lukashenka i tha Putinit se çështjet kryesore në raportet e tyre dypalëshe së fundi kanë qenë mbrojtja dhe siguria.

“Kohërat e vështira kërkojnë që ne të kemi vullnet politik dhe të përqendrohemi në arritjen e rezultateve në të gjitha temat e agjendës dypalëshe”, tha Lukashenka gjatë takimit me Putinin, më 19 dhjetor.

Lukashenka dhe Putini kanë rënë dakord gjatë bisedimeve në Minsk që vendet e tyre do të vazhdojnë të mbajnë stërvitje të përbashkëta ushtarake dhe do të ruajnë bashkëpunimin ushtarak në fusha të tjera.

Rusia dhe Bjellorusia ranë dakord për forcimin e bashkëpunimit "në të gjitha fushat", tha Putini, gjatë një konference të përbashkët për media pas takimit me Lukashenkën, i cili zgjati mbi dy orë.

Kjo përfshin "masa të përbashkëta për sigurinë e dy vendeve", trajnime të vazhdueshme të përbashkëta dhe "dërgimin e ndërsjellë të armëve", tha Putin.

Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, hodhi poshtë spekulimet se Rusia do të kërkojë nga Bjellorusia që të hyjë në luftë kundër Ukrainës.

Lexoni edhe këtë: Putin dhe Lukashenka takohen në Minsk

Aktualisht, Rusia ka mijëra trupa në Bjellorusi për trajnime. Ekspertët kanë argumentuar se Moska po i përgatit trupat për një ofensivë të shkallës së gjerë në fillim të vitit të ardhshëm.

Ndonëse Bjellorusia nuk është përfshirë drejtpërdrejt në luftë, ajo lejoi trupat ruse të përdorin territorin e saj për të nisur pushtimin në shkurt.