Java me REL-in

Punëtorë të sektorit të ndërtimtarisë në Prishtinë.

Reagime të shumta rreth miratimit të Ligjit për Këshillin Prokurorial të Kosovës; fermeret kërkojnë më shumë përkrahje nga shteti; Kosova ende po punon në aktakuzën për sulmin në Banjskë; i arratisuri nga burgu në Kosovë, Faton Hajrizi, u vra nga autoritetet serbe pasi dyshohet se vrau një polic serb; Kuvendi i Kosovës ende nuk ka votat për mbështetjen e Projektkodit Civil.

Këto janë disa nga temat që kanë trajtuar gazetarët e Radios Evropa e Lirë në javën që po lëmë pas, të cilat, të përmbledhura po jua sjellim në këtë artikull.

Pse gjithë kjo zhurmë rreth Ligjit për Këshillin Prokurorial të Kosovës?

Ndërtesa e Këshillit Prokurorial të Kosovës.

Në Kosovë, ditëve të fundit ka pasur reagime lidhur me miratimin e Ligjit të ri për Këshillin Prokurorial të Kosovës.

Miratimi i këtij ligji është pjesë e reformave, për të cilat është zotuar Ministria e Drejtësisë, prej kur Lëvizja Vetëvendosje ka marrë pushtetin.

Këshilli Prokurorial e ka kritikuar ligjin, duke argumentuar se me të, pushteti synon ta bllokojë dhe ta bëjë jofunksional sistemin prokurorial, si dhe të ndërhyjë në gjithë sistemin e drejtësisë.

Ministria e Drejtësisë është kundërpërgjigjur, duke e akuzuar KPK-në se po vazhdon me “qasje destruktive e veprime penguese”.

Deri në miratimin e ligjit janë dashur dy vjet. Versioni paraprak i tij ishte interpretuar edhe nga Gjykata Kushtetuese dhe autoritetet kanë thënë se kanë marrë parasysh sugjerimet në versionin aktual.

Ndryshimi kyç në ligj është se nga 13, KPK do t’i ketë shtatë anëtarë. Prej tyre do të jetë kryeprokurori, sipas detyrës zyrtare, tre prokurorë dhe tre anëtarë joprokurorë – me mandat pesëvjeçar.

Ndryshimi tjetër në ligj është që anëtarët joprokurorë nuk do të propozohen më nga shoqëria civile apo institucione specifike, por do të hapet konkurs publik nga Kuvendi i Kosovës.

Më pas, kandidatët potencialë do të vlerësohen prej një komisioni të pavarur, para se për ta të votohet në Kuvendin e Kosovës, ku emrat e tyre do të miratohen me shumicë të thjeshtë.

Pas miratimit, ky ligj është dërguar sërish për interpretim në Gjykatën Kushtetuese të Kosovës nga dy partitë opozitare: Partia Demokratike e Kosovës dhe Lidhja Demokratike e Kosovës.

Çfarë bën KFOR-i në vijën e gjatë të kufirit Kosovë-Serbi?

Kosova dhe Serbia ndajnë një kufi prej rreth 400 kilometrash të gjatë. Vija kufitare shpesh patrullohet nga pjesëtarë të misionit paqeruajtës të NATO-s në Kosovë, KFOR.

Ekipi i Radios Evropa e Lirë shoqëroi pjesëtarët amerikanë të KFOR-it në një prej këtyre patrullimeve të kryera pranë kufirit, në pjesën malore të Leposaviqit.

Ata thanë se terreni i vështirë është aktualisht sfida më e madhe në patrullimin e kufirit Kosovë- Serbi.

Vrasje, grabitje e shumë arratisje - Kush ishte Faton Hajrizi?

Fotografi ilustruese.

Shtetasi i Kosovës, Faton Hajrizi, iku nga një burg në Kosovë më 6 korrik. Pak ditë më vonë, ai u bë i dyshuar për vrasjen e një polici në Serbi dhe u vra deri sa ishte në arrati nga autoritetet serbe më 19 korrik.

Për herë të parë ai ishte arrestuar në Kosovë më 2000 për vrasjen e një ushtari rus, Faton Hajrizi nga Komuna e Skenderajt, do të shndërrohej në një person me histori të gjatë kriminale dhe famë për shumë arratisje nga burgjet e Kosovës.

Në kohën e arratisjes së fundit nga Kosova, Faton Hajrizi përshkruhej si një i burgosur i disiplinuar, i cili madje kishte fituar të drejtën për të shkuar në shtëpi në fundjavë.

Kosova përpunon aktakuzën kundër Radoiçiqit, Serbia i kërkon dokumente EULEX-it

Millan Radoiçiq.

Prokuroria speciale është në fazën finale të përgatitjes së aktakuzës për sulmin në Banjskë, por sipas burimeve, aktakuza nuk pritet të ngrihet para vjeshtës.

Për sulmin e 24 shtatorit në Banjskë të Zveçanit përgjegjësinë e ka marr Millan Radoiçiq, ish-nënkryetar i Listës Serbe, partisë kryesore të serbëve në Kosovë që gëzon mbështetjen e Beogradit.

Sipas ligjeve aktuale, Prokuroria ka afat prej tre vjetësh që të përgatisë aktakuzën.

Grupi i serbëve të armatosur sulmoi Policinë e Kosovës, duke vrarë rreshterin Afrim Bunjaku. Në përleshjen që pasuan u vranë edhe tre sulmues serb.

Për këtë sulm, Kosova fajëson Serbinë, por Beogradi mohon çdo përfshirje.

Radoiçiq besohet se është në Serbi. Vetë autoritetet serbe janë duke e hetuar atë. Prokuroria e Lartë Publike në Beograd e ngarkon atë me disa vepra penale që kanë të bëjnë me blerje të paligjshme të armëve dhe “shkaktim të rrezikut të përgjithshëm”.

Kjo prokurori tha për Radion Evropa e Lirë se ka kërkuar nga Misioni i BE-së për sundim të ligjit në Kosovë, EULEX, dokumentacionin lidhur me ngjarjet e 24 shtatorit. Zyra e BE-së në Prishtinë tha se këtë kërkesë ua kanë përcjellë autoriteteve kosovare, por ato ende nuk kanë kthyer përgjigje.

Garancitë për Asociacionin - vendimtare për të dalë nga qorrsokaku

Mitrovicë e Veriut. Fotografi nga arkivi.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka kërkuar garanci në këmbim të themelimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

Këto garanci, sipas njohësve të zhvillimeve në Ballkan, janë të drejta dhe të domosdoshme. Por, për ta njësoj janë edhe kërkesat e bashkësisë ndërkombëtare që Kosova ta themelojë këtë asociacion.

“Mënyra më e mirë për Kosovën që t’i marrë garancitë që i meriton, është t’u ofrojë serbëve të Kosovës garancitë që i meritojnë si qytetarë të Kosovës”, tha për Radion Evropa e Lirë, Edward P. Joseph, ligjërues në Universitetin Johns Hopkins në SHBA.

Leon Hartwell, bashkëpunëtor i lartë në LSE IDEAS - Shkolla e Londrës për Ekonomi, tha se Osmani ka të drejtë që është skeptike se se themelimi i Asociacionit do të sillte përfitime të prekshme për Kosovën.

Sipas tij, kërkesat e saj duhet parë në kontekstin e përpjekjeve të vazhdueshme të Serbisë për të destabilizuar Kosovën.

Andaj, Osmani kërkon garanci, “për t’i zbutur pasojat e mundshme negative” dhe “për të siguruar se interesat e Kosovës mbrohen”, tha Hartwell për Radion Evropa e Lirë.

Bashkimi Evropian – që ndërmjetëson dialogun mes Kosovës dhe Serbisë – por, edhe Shtetet e Bashkuara vazhdimisht i kërkojnë Kosovës që të themelojë Asociacionin.

Martesa mes gjinisë së njëjtë, pika që deputetët ende s'kanë "guximin" ta votojnë

Në episodin e kësaj radhe të podkastit Libertas, e ftuar ishte Mimoza Kusari-Lila, shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje.

Teksa ajo foli si motra e një burri homoseksual, theksoi se “në asnjë mënyrë, me asgjë nuk do ta rrezikoja dashurinë dhe mbështetjen për vëllain në shkëmbim të të qenët si shumica”.

Duke folur rreth votimit të Projektkodit Civil, një nen i të cilit do të mundësonte martesat mes personave të gjinisë së njëjtë, Kusari-Lila tha se me votat aktuale që ka pozita, pamundësohet kalimi i tij, por shprehet e bindur se deputetët do të gjejnë “forcën dhe guximin njerëzor dhe politik” për t’i kthyer në ligj të drejtat që, sipas saj, askush nuk mund t’i cenojë.

"Na duhet përkrahje" - Kriteret e vështira për grante dekurajojnë fermeret

Valdete Sahiti kultivon perime të ndryshme.

Valdete Sahiti kultivon tranguj të vegjël, të cilët më pas i përpunon si turshi, për t’i shitur në treg.

Ajo ka filluar të merret me bujqësi më 2015 dhe më 2022 ka regjistruar biznesin e saj. Por, Sahiti, sikurse edhe fermere të tjera, që duan të rrisin prodhimin, përballen me vështirësi që të fitojnë grante nga Ministria e Bujqësisë, për shkak të disa kritereve.

Një nga këto kritere është që toka të jetë në emër të saj.

“Toka është e familjarëve, nuk është as në emrin tim as në emër të burrit, por në emër të gjyshit të burrit. Pak problem po na sjell, por jemi në procedurë duke i rregulluar dokumentet”, tha ajo.

Sipas një raporti të Zyrës Kombëtare të Auditimit, në gjithë Kosovën gratë gëzojnë pronësinë e paluajtshme në vetëm 17 për qind të pronave “dhe për tokat bujqësore kjo përqindje mezi arrin në 4, prandaj kushtëzimi i masës me pronën e paluajtshme ka përjashtuar shumë më tepër gra se burra”.

I nxehti në Kosovë: Punëtorët në kulme e në skele

Për shkak të temperaturave të larta, Ministria e Shëndetësisë e Kosovës më 13 korrik mori vendim që të kufizonte orarin e punës për disa kategori. Në kuadër të këtij vendimi u ndalua puna në sektorin e ndërtimtarisë nga ora 11:00 deri 17:00.

Por, shumë kompani nuk respektuan vendimin.

MSH shfuqizoi vendimin më 20 korrik, duke argumentuar se parashikimet për javën tjetër janë për temperatura që nuk paraqesin rrezik për kategoritë e cenueshme.

Si mund ta ndryshojë lufta në Ukrainë tregtinë në Euroazi

Për shkak të pushtimit rus të Ukrainës, ka nisur të përdoret një rrugë tregtare prej 6.500 kilometrash që e lidh Kinën me Evropën përmes Azisë Qendrore dhe Kaukazit.

Kjo rrugë, që quhet Korridori i Mesëm, për vite të tëra ishte shmangur për shkak se konsiderohet se rrit kostos, por edhe për shkak të mungesës së infrastrukturës cilësore.

“Transiti ndërmjet Evropës dhe Azisë po bëhet gjithnjë e më i ndërlikuar dhe më i shtrenjtë me kalimin e ditëve”, ka thënë Romana Vlahutin, bashkëpunëtore e Fondit Gjerman Marshall dhe ish-ambasadore e BE-së për ndërlidhje, gjatë një bisede me Radion Evropa e Lirë.

Transporti i mallrave përmes Korridorit të Mesëm është rritu dukshëm nga 350.000 tonë më 2020, në 3.2 milionë tonë më 2022. Sipas një studimi të Bankës Botërore, i publikuar në fund të vitit 2023, vëllimi tregtar në Korridorin e Mesëm mund të trefishohet deri më 2030, duke arritur në 11 milionë tonë.

Megjithatë, kufizimet që paraqet Korridori i Mesëm – nga mungesa e infrastrukturës deri te pritja e madhe në porte dhe në pika kufitare – janë çështje që duhet të zgjidhen.