Numër rekord i vrasjeve masive në SHBA në gjashtë muaj

Foto nga një ngjarje e organizuar për përkujtimin e atyre që humbën jetën pas të shtënave masive në Teksas të SHBA-së, më 7 maj 2023.

Në gjashtë muajt e parë të vitit 2023, në Shtetet e Bashkuara të Amerikës u raportuan 28 vrasje masive. Në 181 ditët nga 1 janari deri më 30 qershor, u regjistruan 140 viktima nga këto vrasje masive.

Të vrarë nga duart e të huajve ose të vrarë me armë nga njerëzit e tyre të dashur, të masakruar në qytete të vogla, në qytete të mëdha, brenda shtëpive të tyre ose jashtë në mes të ditës – Gjakderdhja e këtij viti në të gjithë SHBA-në ka bërë që gjashtë muajt e parë të vitit të jenë më vdekjeprurësit të paktën që nga viti 2006.

“Çfarë momenti historik i tmerrshëm”, tha Brent Leatherwood, tre fëmijët e të cilit ishin në klasë në një shkollë private të krishterë në Nashville më 27 mars, kur një ish-nxënës vrau tre fëmijë dhe tre të rritur. “Asnjëherë nuk mendoni se familja juaj do të jetë pjesë e një statistike të tillë”.

Vrasjet masive përkufizohen si dukuritë kur katër ose më shumë persona vriten, duke mos përfshirë sulmuesin, brenda një periudhe 24-orëshe. Një bazë e të dhënave e mbajtur nga agjencia e lajmeve Associated Press dhe USA Today në partneritet me Northeastern University gjurmon këto sulme që nga viti 2006.

SHIKONI EDHE: Tre të vrarë dhe tetë të plagosur nga të shtënat masive në Teksas

Deri më tani, rekordi ishte 27 vrasje në gjashtë muajt e gjysmës së dytë të vitit 2022. James Alan Fox, profesor i kriminologjisë në Universitetin Northeastern, thotë se nuk kishte imagjinuar se do të kishte rekorde të tilla kur filloi ta mbikëqyrte bazën e të dhënave rreth pesë vjet më parë.

“Ne thoshim se kishte njëzet apo tridhjetë në vit”, tha Fox. “Fakti që ka 28 [vrasje masive] në gjysmë viti është një statistikë tronditëse”.

Edhe pse numri i vrasjeve masive është rritur gjatë viteve të fundit, pjesa e mbetur e vitit mund të jetë më e qetë, pavarësisht dhunës më të madhe gjatë fundjavës së festave të katër korrikut.

“Mund të ketë më pak vrasje më vonë gjatë vitit 2023, ose kjo mund të jetë pjesë e një trendi. Por ne nuk mund ta dimë edhe për ca kohë”, shtoi Amy Barnhorst, një psikiatre e cila është drejtoreshë e asociuar e Programit të Kërkimit për Parandalimin e Dhunës në Universitetin e Kalifornisë.

Ekspertët si Barnhorst dhe Fox ia atribuojnë numrin në rritje të vrasjeve masive rritjes së popullsisë dhe rritjet së numrit të armëve në SHBA.

SHIKONI EDHE: Kultura e armëve në Amerikë

Këto raste më të shpeshta të dhunës kanë nxitur përpjekjet për reformim të ligjit për armët e zjarrit. Por, pavarësisht numrit rekord të vrasjeve masive, Shoqata Kombëtare e Armëve kundërshton ashpër ndryshimin e këtij ligji.