Një të burgosuri në Iran i amputohen katër gishtërinj pas akuzës për vjedhje

Pamje prej procesit të amputimit të gishtërinjve të një të dënuari në Iran. Fotografi ilustruese nga arkivi.

Një të burgosuri në Iran i janë amputuar katër gishtërinj, pasi është akuzuar për vjedhje të pesë deleve nga ferma e një pjesëtari të Gardës Revolucionare të Iranit, akuzë që burri e mohon.

Organizata për të drejta të njeriut në Iran, ka thënë se vendimi për këputje të gishtërinjve prej dorës së 34-vjeçarit, të identifikuar vetëm si "Yousef T", është marrë verën e kaluar në burgun qendror Qom, në qendër të Iranit.

Për këtë rast nuk është raportuar deri më tani.

Sipas një burimi që e ka cituar organizata, “Yousef T”, ka insistuar se është i pafajshëm përgjatë 13 muajve qe është ndaluar në burg.

Ai është thënë se ka qenë ndërtimtar që ka punuar në fermë kur është akuzuar.

“Amputimi i gishtërinjve të burrit, nën akuzat për vjedhje të disa deleve nga regjimi i korruptuar, zyrtarët e të cilit garojnë në vjedhje dhe përvetësime miliarda dollarëshe, demonstron mizorinë dhe mungesën e moralit të sistemit”, ka thënë Mahmud Amiri Moghadam, drejtor i organizatës për të drejta të njeriut në Iran.

Sipas ligjit islamik në Iran, personat që shkelin vazhdimisht ligjin, përballen me amputim të gishtërinjve, dhe ky vendim merret vazhdimisht për të burgosurit në Iran.

Diana Eltahawy, zëvendësdrejtore për Lindje të Mesme në organizatën ndërkombëtare Amnesty International, e ka përshkruar ndëshkimin si “shpërfaqje të tmerrshme të sulmit të autoriteteve iraniane ndaj të drejtave dhe dinjitetit njerëzor”.