Lukashenka i fal 30 të dënuar me burgim për pjesëmarrje në protesta

Lideri autoritar i Bjellorusisë, Alyaksandr Lukashenka. (Fotografi nga arkivi)

Lideri autoritar i Bjellorusisë, Alyaksandr Lukashenka, i ka falur 30 njerëz, përfshirë shtatë gra, të cilët po vuanin dënime me burgim për “krimin e protestimit”, njoftoi zyra e tij të mërkurën.

Zyra e Lukashenkas tha se të falurit janë “penduar dhe kanë kërkuar mëshirë" nga Lukashenka.

Muajin e kaluar, Lukashenka i fali 30 njerëz të tjerë të dënuar për pjesëmarrje në protesta masive në vitin 2020 kundër rezultatit zyrtar të zgjedhjeve presidenciale, i cili ia dhuroi fitoren atij.

Më 18 korrik, 18 të burgosur politikë u liruan pasi Lukashenka e nënshkroi një ligj për amnisti masive me rastin e 80-vjetorit të Çlirimit të Bjellorusisë nga Gjermania naziste.

SHIKONI EDHE: Lideri autoritar bjellorus nënshkruan dekret për amnisti masive

Lukashenka, 69 vjeç, është në pushtet në Bjellorusi prej vitit 1994. Ai e ka shtrënguar kapjen e vendit prej zgjedhjeve të gushtit 2020, duke arrestuar – nganjëherë dhunshëm – më shumë se 35.000 njerëz.

Shumica e pjesëtarëve të opozitës bjelloruse kanë ikur nga vendi nga frika për sigurinë e tyre.

Perëndimi nuk e ka pranuar rezultatin e zgjedhjeve dhe nuk e pranon Lukashenkan si liderin e ligjshëm të vendit.

Shumë vende kanë vendosur sanksione kundër regjimit të Lukashenkas si përgjigje për shtypjen e kundërshtarëve në vend.