Rritet frika nga një pushtim i sërishëm i qytetit të çliruar të Ukrainës

Një banor i Kupianskut mbledh gjërat më të vlefshme nga shtëpia e tij, më 13 shkurt pasi u shkatërrua nga bombardimet ruse. Qyteti ndodhet në rajonin e Harkivit, në lindje të Ukrainës, ndërsa vendasit janë të shqetësuar nga një tjetër ofensivë dhe pushtim rus.

Në një stacion autobusi përballë kishës ortodokse me kupolë të artë, 62-vjeçarja Halyna priste me dy çanta të mëdha pazari.

“Kam jetuar këtu nën pushtimin rus”, tha ajo e nervozuar, duke refuzuar të jepte mbiemrin e saj. "Por, kam frikë nga një sulm tjetër. Unë do të shkoj në Harkiv. Vajza ime është atje. Unë dua të qëndroj atje për të qenë e sigurt".

Në qytetin që dikur ishte shtëpia e 30.000 njerëzve, tani tanket gjëmojnë nëpër rrugët e Kupianskut, ndërsa ushtarët e armatosur rëndë inspektojnë çdo automjet që hyn dhe del nga peizazhi i shkatërruar nga lufta.

Makinat e djegura, urat dhe ndërtesat e shkatërruara shërbejnë si një kujtesë e çmimit të lartë që ky komunitet pagoi për t'i dëbuar forcat pushtuese ruse vitin e kaluar.

Shumë nga banorët e mbetur, si 86-vjeçari Misha, kryesisht janë të moshuar, të varfër ose që kujdesen për të afërmit.

Me ekonominë e tyre lokale të rrënuar, banorët varen nga shujtat e ngrohta të ofruara nga vullnetarët.

Meqë dyqanet pranojnë vetëm para të gatshme, njerëzit duhet të presin në radhë para një nga dy ATM-të e vetme funksionale.

Një nga ata që po priste ishte doganieri 47-vjeçar Oleksandr Tymoshenko, i cili tha se nuk shqetësohet për një ofensivë ruse. "Unë fola me ushtrinë dhe ata më thanë: 'Mos u shqetësoni për këtë, situata është nën kontroll'".

Flamujt e Ukrainës me ngjyrat blu e verdhë tani valojnë në Kupiansk pasi u hoqën vitin e kaluar nën pushtimin rus. Banorët vendas thanë se u detyruan t'i pikturonin urat me ngjyrat kuq, bardh dhe blu të flamurit rus. Por tash ato janë lyer me ngjyrë blu dhe të verdhë.

Oleksandr Tymoshenko kujtoi kufizimet gjatë kohës kur rusët kontrollonin qytetin. "Kishte postblloqe ruse kudo. Ata nuk të linin të dilje, por civilët nuk i lënduan", tha ai.

Banorët e Kupianskut kanë qenë dëshmitarë të luftimeve të ashpra. Qyteti u zaptua nga forcat ruse në muajt e parë të pushtimit të Ukrainës. Forcat ukrainase e çliruan Kupianskun në shtator gjatë një kundërofensive të madhe.

Banorja Tamara Skliarova, 70-vjeçare, ka mbetur në qytet gjatë gjithë kohës. Ndërtesa e saj u granatua dhe shkallët në katin e sipërm janë bllokuar tani nga mbeturinat.

Civilët dhe ushtarët duke blerë në një treg të hapur në Kupiansk, më 13 shkurt.

Një grua tjetër, Olha, 62 vjeçe, e cila nuk pranoi të jepte mbiemrin e saj, gjithashtu dëshiron të largohet nga qyteti, por duhet të qëndrojë dhe të kujdeset për djalin e saj 37-vjeçar me nevoja të veçanta, pasi tha se nuk kanë ku të shkojnë.

“Ka shpërthime çdo ditë, kështu që është shumë e frikshme”, tha ajo. "Ne duhet të fshihemi në bodrum. Të gjithë po flasin për një sulm të ri rus."

Një burrë duke shikuar një mural ku shkruan: "Ne do të shumëfishojmë sasinë e dashurisë në botë. Dhe për këtë, ne do të fitojmë!".

Forcat ruse kanë intensifikuar granatimet e tyre ndaj qytetit të shkatërruar të Ukrainës, Kupiansk, duke ngritur shqetësimet se atë mund ta rimarrin. Qyteti i shkatërruar nga lufta shtrihet vetëm 15 kilometra larg vijës së frontit, ku forcat e Moskës janë të angazhuara në luftime.