Baltë, minj e mjerim: Forcat e Ukrainës përgatiten për një tjetër dimër në llogore

Një ushtar ukrainas i Brigadës së 10-të të Veçantë Sulmuese Malore shikon perimetrin në një vend të paidentifikuar në rajonin e Donjeckut të Ukrainës më 26 tetor.

Ndërsa pushtimi i paprovokuar rus i Ukrainës hyn në muajin e 21-të, asnjëra palë nuk ka ndryshuar ndjeshëm linjat e frontit, duke rezultuar që të dyja palët të forcojnë pozicionet e tyre në atë që quhet një formë e luftës statike.

Fotografi i Radios Evropa e Lirë, Serhiy Nuzhnenko, udhëtoi për në frontin e rajonit të Donjeckut, ndërsa forcat ukrainase përgatiteshin për një tjetër dimër rraskapitës. Atje, ai u takua me ushtarët që po bënin roje në llogore.

Një ushtar ukrainas me nofkën "Lypa" mbush me ujë të ngrohtë një tas. Për këta ushtarë, konflikti ka shkuar në mbajtjen e pozicioneve të tyre pasi moti i lagësht dimëror ka filluar të mbërrijë.

"Zoti është në anën tonë. Ne nuk e pushtuam (Rusinë)", tha Lypa.

 

“Zot, më lër t'i mbijetoj këtij dimri të vështirë dhe në pranverë fitorja do të jetë e jona”, tha Lypa. "Unë dua tash është që të vdesin sa më pak djem që të jetë e mundur".

Një ushtar ukrainas nxjerr me lopata baltën e trashë nga llogorja që ndan me ushtarët e tjerë.

Pavarësisht se forcat e Kievit rimorën më shumë se 50 për qind të territorit të pushtuar që nga fillimi i luftës, Rusia ende kontrollon 18 për qind të territorit të Ukrainës.

Një anëtar i brigadës sulmuese duke bartur një trung.

Sulmet në shkallë të gjerë po bëhen më pak të suksesshme pasi të dyja palët mbështeten te  dronët, pajisjet për shikim gjatë natës dhe inteligjenca e sinjaleve elektronike për të monitoruar përparimet e trupave. Megjithatë, Kievi thotë se forcat ruse po vazhdojnë përpjekjet e tyre për të rrethuar qytetin lindor Avdijivka.

Një ushtar duke shijuar cigaren në heshtje.

Instituti për Studimin e Luftës (ISW) me qendër në SHBA thotë se Moska "ka mundësi" që po përgatitet për një valë të madhe sulmesh tokësore "rraskapitëse" të udhëhequra nga këmbësoria, ndaj pozicioneve ukrainase në zonën Avdijivka, e cila është përballur me granatime masive ruse.

Lypa tregon një betejë tjetër me të cilën përballen këta ushtarë, vërshimin e vazhdueshëm të llogoreve të tyre nga uji që duhet hequr me lopatë.

"Kur beteja fillon, ju duhet të qëndroni në ujë të ftohtë dhe të luftoni", tha ai.

Me shiun që po bie, një ushtar kalon disa çaste të qeta duke përkëdhelur një maçok që jeton mes tyre.

"Ai ka kapur tashmë dy minj dhe ne po i lëmë minjtë e tjerë të pushojnë", tha ushtari.

Lypa inspekton një pozicion të ri që ishte përgatitur posaçërisht për dimrin e ardhshëm.

Një zonë e vogël, pothuajse e mbyllur ku fle një ushtar.

Një qen endacak duke ecur pranë pozicioneve të ushtarëve.

"Unë kisha leje pushimi dhe kafenetë ishin plot me djem të rinj të ulur atje... Ata ende qëndrojnë ulur atje", tha Anatoliy i cili ndaloi për një çast derisa ishte duke hapur një llogore.

“Civilët e kanë harruar luftën”, u shpreh ai.

Fotografi i Radios Evropa e Lirë, Serhiy Nuzhnenko, dokumenton kushtet e vështira, me të cilat përballen trupat ukrainase që luftojnë me forcat ruse në rajonin e Donjeckut, ndërsa përgatiten për një tjetër dimër rraskapitës në vijën e parë të luftës. (Përgatiti: Syzanë Paçarizi)