Ecjet në mal, skijimi, tenisi dhe zanati si DJ kanë qenë burime parësore financiare për Ben Islamin nga Prishtina, edhe pse përfundoi studimet për stomatologji. Këto pasione kanë bërë që Beni ta krijojë brendin e tij “Njeri”, sipas të cilit është emërtuar edhe maja më e lartë në Kosovë.
Bodrumi që ishte kapluar nga errësira shkaku i një poçi elektrik të prishur ishte destinacioni i 12-vjeçarit Ben Islami më 15 qershor të vitit 1985, në shtëpinë e tij. Por, në vend të frikës, ai aty gjeti një ndër pasionet më të mëdha të jetës së tij - tenisin.
Gjatë kohës kur Beni po zbriste shkallëve drejt bodrumit, dy shokë të tij e prisnin jashtë për të nisur një ndeshje futbolli. Por, errësira fshehu topin e futbollit dhe Beni hasi në dy raketa dhe një top tenisi.
Jo shumë më vonë, Beni dhe dy shokët e tij vizatuan një fushë tenisi me shkumës në një vend parkimi, ndërsa rrjetën e tenisit e improvizuan duke lidhur mes vete thasë patatesh.
“Kemi filluar të luajmë dhe prej atëherë nuk jam ndalur më. U dashurova prapë në tenis”, thotë Beni për Radion Evropa e Lirë, teksa shton se ato raketa tenisi i kishte që nga vitet e tij të fëmijërisë në Londër.
Viti 1980 e kishte gjetur Benin në Londër të Anglisë, pasi babai i tij po e kryente specializimin për stomatologji. Më vonë, pas kthimit në Kosovë, ai themeloi klubin Tennis Prishtina, Federatën e Tenisit të Kosovës dhe u shpall shtatë herë kampion i Kosovës në tenis.
Por, përgjatë kësaj kohe, ai nuk ka lënë pas dore as dashuritë e tjera të jetës së tij: bjeshkatarinë, skijimin, fotografinë. Veten e ka sfiduar edhe me publikimin e librave turistikë “Kosova e pastër” dhe “Kosova madhështore”, ku liston disa nga fotografitë më të dashura të tij nëpër malet e Kosovës.
“I kam profesionalizuar këto hobi, pastaj i kam shndërruar në punë. Është mesazh për rininë që sa më shumë të provojnë gjëra sa janë të rinj që ndoshta më vonë t’i shndërrojnë në biznes. Kur do diçka me zemër, s’ndalesh kurrë dhe nuk përton as të zgjohesh në 4 apo 5 të mëngjesit”, thotë Beni.
Shndërrimi i këtyre pasioneve në punë ka bërë që Beni të mos e praktikojë profesionin e tij si stomatolog, përveç në rastet kur i ndihmon babait të tij. Dyshimet lidhur me këtë profesion e kishin ndjekur atë që nga adoleshenca, por kishte vazhduar studimet shkaku i shtyrjes nga familjarët.
“Ata janë tallur me mua. Më thoshin se nuk ka asgjë prej kësaj, më thoshin ‘bëhu stomatolog’. Unë e përfundova Stomatologjinë, por prapë vazhdoj me këto gjërat që i dua dhe jam shumë i lumtur”, tregon Beni.
Beni i aventurave – mes rrezikut dhe paqes
Përveç lumturisë, pasionet e kanë përplasur Benin edhe me hidhërime dhe tmerrime. Një prej këtyre momenteve ishte 4 marsi i vitit 2006, kur Beni e gjeti veten nën dy metra borë, shkaku i një orteku bore që e kishte goditur teksa skijonte në Folenë e Shqiponjës, në Brezovicë.
Beni ishte shpëtuar nga dy amerikanë që po skijonin bashkë me të, mirëpo rreziku nuk kishte përfunduar aty. I përplasur në një pishë, Beni kishte thyer këmbën dhe mjekët për një javë rresht i kishin thënë se do të duhet t’ia amputonin.
“I thosha vetes unë jam budalla, unë jam i keq, unë jam krejt të zezat, e rrahsha veten në spital. Nuk mund ta besoja atë që po më ndodhte. Vinte mjeku, më thoshte ‘mbahu i fortë se duhet të ta presim këmbën’”, kujton Beni.
Pas një jave, ai e mori lajmin se këmba po i shërohej dhe, rreth një vit më vonë, iu kthye skijimit. Por, tani me një ndryshim: lëshimet i bën vetëm nga vende më pak të rrezikshme se Foleja e Shqiponjës, ku nga një ortek bore në vitin 2019 kishte vdekur Arian Daci, ish-zëvendësministër në Qeverinë e Kosovës, teksa skijonte.
Organizimet që ai i bën në kuadër të skijimit, përmes Snow Njeri, janë të kufizuara vetëm për personat që kanë më shumë se dhjetë vjet përvojë në këtë sport. Më të qasshme për fillestarë janë organizimet për ecje në male, përmes Hiking Njeri. Por, këto ecje nuk janë gjithmonë pa rrezik.
Gjatë një ecjeje në bjeshkët e Deçanit, më 24 maj të vitit 2009, Benit iu duk se e pa vdekjen me sytë e tij. Brenda pak momenteve, qielli u ngrys në një gri të errët, që shndërrohej vazhdimisht në të bardhë shkaku i vetëtimave të shpeshta.
Ky ndryshim i motit e gjeti Benin në majën e Milishefcit. Shkaku i shiut, erës së fuqishme dhe vetëtimave që Beni kujton të kenë goditur “çdo dhjetë sekonda”, ai zbriti shpejt rreth 100 metra më poshtë dhe përdori rrobat që kishte si strehë.
“Krejt kjo zgjati gjysmë ore dhe ka qenë frika më e madhe që kjo do të jetë dita ime e fundit. Jemi shikuar me shokë ashtu thellë në sy disa herë, domethënë që përfundoi kjo punë, përfundoi jeta. Bye-bye, tung” , tregon Beni.
Beni ka organizuar plot 1099 ecje nëpër malet e Kosovës që nga viti 2004, ndërsa thotë se vetë e ka shkelur çdo pëllëmbë të territorit të vendit, “prej veriut deri në jug, lindje e perëndim”.
Ai e ka të vështirë ta zgjedhë një si të preferuar, por të veçantë e cilëson majën më të lartë në Kosovë, “Maja e Njerit”, me lartësi mbidetare prej 2.658 metrash. Kjo maje u përfshi në territorin e Kosovës zyrtarisht në vitin 2010, pas demarkacionit të kufirit mes Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut.
Në vitin 2011, Beni me një shok të tij u ngjitën në këtë majë për herë të parë dhe e emërtuan “Maja e Njerit” – zyrtarisht të njohur si “Maja e Njeriut” dhe “Rudoka e Madhe”.
Nofka “njeri” e ka përndjekur Benin gjatë gjithë jetës së tij, fillimisht në formë tallëse nga shokët e tij, që e ngacmonin se ai i quante të gjithë “njeri”. Për këtë arsye, ai ka vendosur që të gjitha iniciativat e tij ta kenë fjalën “njeri”, duke nisur në vitin 1991, në zanatin e tij si DJ.
Ky zanat është ndër pasionet e vetme që Beni nuk e ushtron më, që nga viti 2000, pavarësisht ofertave që merr. Kjo pasi që jeta më paqësore dhe e rregullt që e bën tani nuk përshtatet me jetën e natës.
“Nuk përkon me atë që unë e bëj, kam qejf të fle rehat, të fle në 12 dhe të zgjohem në 8”, thotë Beni, teksa shton se preferon aktivitetet në natyrë pasi që në këtë mënyrë “e liron mendjen, kënaqesh, e ke njëfarë kënaqësie sepse menjëherë je në atë energjinë e natyrës që të qetëson”.
Beni thotë se nuk u interesua në asnjërin këtyre pasioneve me qëllim të përfitimeve materiale, ndonëse tani ato janë bërë burimi parësor ekonomik për të, në vend të punës si stomatolog.
“Kështu është jeta. Kur ti mendon vetëm pozitivisht, që t’i bësh njerëzit të lumtur, ndodhin gjërat”, thotë Beni.