Arrestohet një zyrtar për keqpërdorim të detyrës

Një zyrtar policor i Kosovës gjatë arrestimit të një personi. Fotografi ilustruese.

Një zyrtar i gjendjes civile është arrestuar nën dyshimin se ua kishte mundësuar disa personave ta fitonin nënshtetësinë kosovare në mënyrë të jashtëligjshme gjatë vitit të kaluar në komunën e Mamushës, në jug të Kosovës, njoftoi Policia e Kosovës të martën.

Ai dyshohet se ua ka dhënë nënshtetësinë kosovare në kundërshtim me ligjin gjashtë personave.

Sipas njoftimit, Njësia Rajonale për Hetimin e Krimeve Ekonomike e Korrupsionit në Prizren kishte pranuar një informatën në janar 2024 për dyshimet se zyrtarë të gjendjes civile në Mamushë, ishin përfshirë në veprën penale ‘’keqpërdorim të pozitës ose autoritetit zyrtar’’.

“Me autorizim dhe udhëzime nga prokurori i çështjes, janë siguruar dëshmi relevante. Kështu, është krijuar dyshimi i arsyeshëm se i dyshuari-zyrtar i gjendjes civile në Mamushë, gjatë vitit 2023 ka regjistruar në sistemin e gjendjes civile gjashtë persona në kundërshtim me ligjin”, thuhet në njoftim.

I dyshuari besohet se i ka ndihmuar personat në fjalë të regjistrohen në regjistrin civil kosovar dhe pastaj ta fitojnë shtetësinë kosovare pa qenë fare të pranishëm në Kosovë gjatë procesit.

“Vetëm për një person është gjetur dosja, të cilin e ka regjistruar me datë 05.05.2023, ndërsa për personat tjerë dosjet e tyre nuk ekzistojnë fare”, sipas njoftimit.

I dyshuari është dërguar në paraburgim për 48 orë me urdhër të prokurorit, pasi ishte marrë në pyetje në praninë e avokatit mbrojtës, tha Policia.