'Kombi ushtarak': Trajnimi i civilëve në Armeni mes frikës nga pushtimi

Një grup duke u trajnuar për përdorimin e armëve në Jerevan më 19 tetor.

Në një tokë të shkelur mirë në Jerevanin verior, ky grup ishte një nga rreth 100 personat që i nënshtroheshin trajnimit nga VOMA më 19 tetor. Organizata është emërtuar nga shkurtesa e e një fraze armene, që do të thotë "arti i mbijetesës". Motoja e VOMA-s, që mund të dëgjohej të këndohej nga grupet e praktikantëve më 19 tetor, është "Kombi ushtarak".

Një instruktor duke folur me një pjesëmarrës në trajnimin për përdorimin e armëve.

VOMA u themelua në vitin 2014, fillimisht me fokus në trajnimin e aftësive të mbijetesës në natyrë. Pas shpërthimit së fundi të konfliktit katër-ditor në Nagorno-Karabakh në vitin 2016, VOMA filloi trajnimin e njerëzve si për mbijetesë, ashtu edhe për aftësitë bazë ushtarake.

 

Një grua e re i nënshtrohet stërvitjes për përdorimin e armëve.

Arseni, një zëdhënës i ri anglishtfolës i grupit, i tha Radios Evropa e Lirë se numri i atyre që regjistrohen në trajnime rritet pas çdo shpërthimi të ri të dhunës me Azerbajxhanin.

Një grua udhëzohet se si të drejtojë armën e saj të rreme.

Regjistrimi masiv më i fundit në VOMA ndodhi pas ofensivës ushtarake të Bakusë të 19 shtatorit, e cila përfundoi me rimarrjen e plotë të Nagorno-Karabakut nga Azerbajxhani, duke i dhënë fund një pranie shekullore të armenëve etnikë në rajon.

Një grup mëson të përdorë fashat gjatë trajnimit për ofrimin e ndihmës së parë në VOMA më 19 tetor.

Elina, një shtetase holandeze me trashëgimi armene, u regjistrua mes raporteve të diskutueshme që sugjeronin se një pushtim nga Azerbajxhani i Armenisë jugore është i mundur në të ardhmen e afërt. "Unë mendoj se është një kërcënim real, duke marrë parasysh që ata sapo kanë pushtuar  [Nagorno-Karabakun]",  tha Elina me një anglishte të përsosur. Ajo tha se iu bashkua kursit të VOMA-s sepse "kur jetoni në një vend që është vazhdimisht nën kërcënim të luftës, çdo qytetar duhet të jetë i përgatitur për ta mbrojtur veten e tij”.

 

Armët prej gome të stërvitjes janë vendosur në rresht në qendrën e trajnimit të VOMA-s në Jerevan.

Në vitin 2021, Azerbajxhani i bëri thirrje Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë që të siguronte që Jerevani të mbyllte VOMA-n, për të cilën Bakuja pretendonte se po "angazhohej në nxitjen e urrejtjes racore dhe dhunës me motive racore të shënjestruar ndaj Azerbajxhanit".

Një grup brenda qendrës VOMA është trajnuar për trajtimin e plagëve në mushkëri.

VOMA pretendon se misioni i saj është thjesht mbrojtës dhe se synon të krijojë një "lëkurë iriqi" të Armenisë, që do ta bënte vendin "shumë të dhimbshëm për t'u prekur".

Një grumbull helmetash dhe jelekësh balistikë shtrihet poshtë një murali të epokës sovjetike në qendrën e trajnimit të VOMA-s në Yerevan.

Arseni qesh kur pyetet për raportimet e shpeshta të medias shtetërore të Azerbajxhanit që kanë për cak grupin. “Ne kemi fytyrat tona në fotot në kanalet e Telegramit të Azerbajxhanit, duke thënë se ne të gjithë jemi terroristë”, tha ai. "Kuzhinieri ynë këtu u prezantua [në mediat sociale të Azerbajxhanit] si një instruktor që është gjithashtu terrorist. Ne qeshim shumë kur shohim gjëra të tilla". Por, fytyra e tij ngryset pak nga përfshirja e tyre në raportime armiqësore të mediave. “Jam paksa i shqetësuar nëse mund të largohem nga vendi im [për të udhëtuar]”, tha ai. “Në një moshë kaq të re të quhesh terrorist, nuk është diçka që më pëlqen”.

 

Vullnetarët duke ngarkuar lëndë druri në një furgon në qendrën e trajnimit VOMA, që do të përdoret për të ndërtuar bunkerë.

Së bashku me trajnimin, VOMA po ndërton gjithashtu bunkerë në të gjithë Armeninë që do të përdoren në rast të një pushtimi. Bunkerët janë ndërtuar nga dheu dhe druri, dhe në disa raste, goma të përdorura kamionësh. Grupi shpreson të ndërtojë mijëra bunkerë të thjeshtë në të gjithë vendin.

 

Një foto në një mur në qendrën stërvitore të Jerevanit tregon një kamp stërvitor të mbajtur në malet e Armenisë.

Arsen thotë se kurset VOMA, të cilat trajnojnë mijëra njerëz çdo vit, janë çelësi për mbrojtjen kombëtare të Armenisë. "Kur njerëzit bashkohen, ju mund ta mbroni veten", tha ai. "Një person mund të ketë të gjitha aftësitë në botë, por kur është vetëm, kjo nuk është asgjë. Kur jeni me një grup njerëzish të mbledhur së bashku për një qëllim -- për të mbrojtur veten dhe familjet tuaja -- atëherë bëheni një dorë e madhe e fortë që mund ta ndiejë dhe të bëjë atë që duhet bërë".

Një organizatë që trajnon civilët për aftësi luftarake dhe për mbijetesë, në Jerevan, po tërheq një numër në rritje të anëtarësimeve të reja mes frikës nga pushtimi. (Përgatiti: Syzanë Paçarizi)