Kultivimi i lulëkuqes merr hov me gjithë goditjen e talibanëve

Rojet e armatosura shikojnë ndërsa policia talibane kundër narkotikëve shkatërron fushat me lulëkuqe jashtë Mazar-e-Sharifit, në provincën Balkh, Afganistan më 1 maj.

Talibanët ndaluan kultivimin e lulëkuqes në prill 2022. Por, korrja e vitit të kaluar u përjashtua kryesisht nga ndalimi, duke rezultuar në një rritje prej 32 për qind në prodhimin e opiumit.

 



 

Ekspertët thonë se qeveria talibane nuk ka qenë e gatshme të zbatojë ndalimin e saj, sepse tregtia e paligjshme e opiumit mbetet burimi kryesor i të ardhurave.
Të ardhurat nga prodhimi i opiumit, të vlerësuara midis 1.8 miliard dhe 2.7 miliardë dollarëve, përbënin 12-14 për qind të prodhimit të brendshëm bruto të Afganistanit në vitin 2021.

Talibanët kanë qenë nën presion nga vendet fqinje dhe komuniteti ndërkombëtar për të luftuar prodhimin dhe trafikimin e drogës që kur grupi mori pushtetin pas tërheqjes së trupave të huaja të udhëhequra nga SHBA-ja dhe NATO-ja nga Afganistani në gusht të vitit 2021.
 

Talibanët ishin kryesisht të suksesshëm në zhdukjen e kulturës bujqësore të lulëkuqes në fund të periudhës së parë në pushtet nga viti 1996 deri në 2001, thonë analistët. Por, ndalesa e tyre u zbeh kur ata u rrëzuan nga një pushtim i udhëhequr nga SHBA-ja në 2001 - dhe më vonë ata filluan të financojnë kryengritjen e tyre pasuese duke taksuar kultivuesit e lulëkuqes.

Një djalë i ri afgan duke ndihmuar policinë kundër narkotikëve teksa shkatërrojnë fushat me lulëkuqe.

Në prill të 2022-s, udhëheqësi suprem i talibanëve, Mullah Haibatullah Akhundzada, vendosi një ndalim të rreptë për kultivimin, përdorimin dhe trafikimin e të gjitha drogave të paligjshme.

“Nëse dikush e shkel dekretin, të korrat do të shkatërrohen menjëherë dhe shkelësi do të trajtohet sipas ligjit të Sheriatit”, thuhej në urdhrin e shpallur nga Ministria e Brendshme e talibanëve në një konferencë shtypi në Kabul.

Disa fermerë afganë shprehen të gatshëm të ndalojnë kultivimin e opiumit nëse mund t'u sigurojnë atyre mjete jetese dhe prodhime alternative. Por, ata thonë se talibanët kanë pak stimuj ekonomikë për fermerët, të cilët mund të fitojnë shumë duke kultivuar opiumin në krahasim me kulturat e tjera, si gruri.

“Unë e mbështes ndalimin e kultivimit të lulëkuqes nëse marrim ndonjë ndihmë për të na mundësuar të blejmë ushqim dhe ilaçe për familjet tona”, tha Abdul Kayyum, një fermer në distriktin Maiwand të Kandaharit, për Radio Azadi të Radios Evropa e Lirë në fund të vitit të kaluar.

Si një lëvizje kryengritëse dhe një fuqi qeverisëse, talibanët kanë fituar një reputacion për zbatimin e ashpër të ligjit dhe rendit, duke përfshirë ndëshkimet trupore publike dhe madje edhe ekzekutimet gjatë periudhës së parë në pushtet.

Të izoluar dhe nën sanksione ekonomike, talibanët thonë se kanë nevojë për ndihmë nga jashtë  për ta çliruar vendin nga ekonomia e tij e paligjshme e drogës.

Programi i Kombeve të Bashkuara për Zhvillim ka raportuar se afganët e varfër tashmë po marrin masa ekstreme për të mbijetuar nën sundimin e talibanëve.

“Disa janë detyruar të shesin shtëpitë, tokën ose asetet e tyre që gjenerojnë të ardhura; të tjerë i janë drejtuar praktikës shqetësuese të komodifikimit(trajtimit si mall) të anëtarëve të familjes, duke i kthyer fëmijët në punëtorë dhe vajzat e vogla në nuse”, thuhet në raport.

Të izoluar dhe nën sanksione ekonomike, zyrtarët talibanë në Afganistan kanë shpallur edhe një herë ndalimin e kultivimit, përdorimit dhe trafikimit të lulëkuqes. (Përgatiti: Syzanë Paçarizi)