Demokratët fitojnë në Xhorxhia

Raphael Warnock dhe Joe Biden.

Demokrati Jon Ossoff është projektuar fitues në balotazhin për ulësen në Senat në shtetin e Xhorxhias, duke i dhënë partisë së tij kontrollin e Senatit dhe duke i hapur rrugë avancimit të agjendës së presidentit të zgjedhur, Joe Biden.

Mediat amerikane thanë se Ossoff është duke udhëhequr 50.3 për qind të votave, kundrejt 49.7 sa ka fituar kundërkandidati i tij republikan, David Perdue.

Ossoff, 33 vjeç, e mposhti republikanin Perdue, i cili kishte qenë senator për gjashtë vjet dhe gëzonte mbështetjen e presidentit, Donald Trump.

Demokrati Ossoff është bërë politikani më i ri i zgjedhur në Senatin amerikan dhe me fitoren e projektuar edhe të demokratit, Raphael Warnock, në garën tjetër të balotazhit në Xhorxhia, kontrolli i Senatit tani do të ndahet në 50 me 50 në mes të demokratëve dhe republikanëve.

Tani, vota e nënpresidentes së zgjedhur, Kamala Harris do të jetë përcaktuese për kontrolline Senatit, duke bërë më të lehtë që agjenda legjislative e Bidenit të kalojë në Senat, pasi ai dhe Harris të inaugurohen më 20 janar. Demokratët po ashtu kanë kontrollin e Dhomës së Përfaqësuesve.

Derisa ende nuk ishte projektuar si fitues, demokrati Jon Ossoff deklaroi fitoren.

"Xhorxhia, faleminderit shumë për besimin që më keni dhënë. Unë jam i nderuar nga mbështetja juaj, nga besimi juaj, dhe unë do të pres me padurim t'ju shërbej", tha Ossoff në një deklaratë televizive.

SHIKONI EDHE: Xhorxhia e SHBA-së voton në balotazhin për senatorë

Warnock, që është pastor në një kishë në Atlanta, ka mposhtur senatoren republikane, Kelly Leoffer.

Ai do të jetë senatori i parë afrikano-amerikan i zgjedhur nga shteti i Xhorxhias.

Më herët gjatë ditës, Biden mirëpriti projektimin se Warnock ka fituar në balotazhin në Xhorxhia.

"Votuesit në Xhorxhia dhanë një mesazh: ata duan verpim në kohën kur po përballemi me krizë", tha Biden.

Zyrtarët kanë paralajmëruar se rezultatet mund të mos dihen për disa ditë, pasi qarqet duhet të numërojnë një numër të madh fletëvotimesh përmes postës.

Këto zgjedhje në Xhorxhia kanë nxjerrë në pah ndasitë e ashpra politike dhe kanë mobilizuar të dyja palët, si në asnjë garë tjetër për ulëse në Senatit në vitet e fundit.

SHIKONI EDHE: Xhorxhia e SHBA-së voton në balotazhin për senatorë

Presidenti i zgjedhur, Joe Biden dhe ai aktual, Donald Trump, bënë fushatë në këtë shtet më 4 janar, duke shpresuar që të mblidhnin votuesit në qendrat e votimit nëse ata nuk kishin hedhur votat e tyre me postë ose në votime të hershme.

Biden ka thënë se banorët e Xhorxhias mund ta modelojnë SHBA-në për vitet që do të vijnë.

Trump, në anën tjetër, u ka thënë votuesve të tij se është “shansi i fundit për ta shpëtuar Amerikën” që duan.