Eurodeputetët bëjnë thirrje për zgjedhje demokratike në Bjellorusi, nuk e njohin Lukashenkan

Protestat në Bjellorusi.

Deputetët e Parlamentit Evropian (PE) bënë thirrje për zgjedhje të lira dhe demokratike në Bjellorusi. Ata përsëritën qëndrimin e tyre për të mos e njohur Alyaksandr Lukashenkan si president të sapozgjedhur të vendit.

Anëtarët e komitetit për politikë të jashtme në këtë institucion (AFET) zhvilluan një debat të jashtëzakonshëm, në të cilin theksuan nevojën që Bashkimi Evropian (BE) të vendosë sanksione ndaj atyre që janë përgjegjës për vjedhjet e votave dhe dhunën ndaj protestuesve. Eurodeputetët dënuan shtypjen ndaj protestuesve në qytetet bjelloruse dhe kërkuan lirimin e menjëhershëm të të gjithë të arrestuarve.

SHIKONI EDHE: Protesta masive kundër presidentit bjellorus

Gjatë debatit, kryetari i Komitetit për Politikë të Jashtme në Parlamentin Evropian, David McAllister, vlerësoi se fushata zgjedhore në Bjellorusi ka treguar qartë dëshirën për ndryshime demokratike në vend.

Ai tha se manipulimi i rezultateve shkaktoi protestat më të mëdha në Bjellorusi, që nga pavarësia e saj, por, sipas tij, qeveria u përgjigj me "dhunë ekstreme".

"Ne nuk i njohim rezultatet e zgjedhjeve, dënojmë dhunën e forcave të sigurisë dhe mbështesim kërkesat e popullit të Bjellorusisë për zgjedhje të reja dhe të lira nën mbikëqyrjen e vëzhguesve të pavarur, si OSBE-ja (Organizata për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë)", tha David McAllister.

SHIKONI EDHE: Liderja opozitare bjelloruse do të takohet me numrin dy të DASH-it

Dhuna kundër protestuesve ka ndodhur edhe më parë në Bjellorusi, mirëpo kësaj radhe, ajo inkurajoi një “mobilizim të shoqërisë bjelloruse”, tha në fjalën e saj sekretarja e përgjithshme e Shërbimit të Jashtëm të BE-së (EEAS), Helga Schmidt.

"Protestat janë një përgjigje e qartë ndaj falsifikimit të rezultateve të zgjedhjeve. Njerëzit nuk duan që votat e tyre të injorohen. Ata kanë një kërkesë të qartë për zgjedhje të lira, të ndershme dhe demokratike", tha Schmidt.

Ajo konfirmoi se BE-ja po përgatit një listë të sanksioneve kundër atyre që janë përgjegjës për manipulimet e zgjedhjeve dhe shtypjen e protestave. Megjithatë, ajo tha se gjithçka do të bëhet në atë mënyrë që sanksionet të mos sjellin pasoja për njerëzit.

Tsikhanouskaya: Bjellorusia është zgjuar

Udhëheqësja e opozitës në Bjellorusi, Svyatlana Tsikhanouskaya, të cilën PE-ja e konsideron fituese të zgjedhjeve presidenciale që janë mbajtur më 9 gusht, iu drejtua eurodeputetëve përmes një video-lidhjeje.

Ajo tha se rezultatet zyrtare të zgjedhjeve janë falsifikuar dhe se të njëjtat janë hedhur poshtë nga populli dhe një pjesë e bashkësisë ndërkombëtare.

Duke folur për protestën e javës së kaluar, e cila konsiderohet më e madhja në historinë e Bjellorusisë, Tikhanovskaya vlerësoi se në vendin e saj "po ndodh një revolucion".

"Bjellorusia është zgjuar. Ne nuk jemi më opozitë. Tani, ne jemi shumica. Po zhvillohet një revolucion paqësor", tha Tsikhanouskaya, duke shtuar se ky nuk është një revolucion gjeopolitik.

SHIKONI EDHE: Këndvështrimet nga Ballkani Perëndimor për ngjarjet në Bjellorusi, Kosova përkrah masat e perëndimit

“Ky nuk është një revolucion pro-rus dhe as anti-rus. Nuk është as pro-BE ose një revolucion anti-BE. Ai është një revolucion demokratik", tha liderja e opozitës.

Ajo shprehu gatishmërinë për të negociuar me autoritetet në Minsk dhe për të shqyrtuar mundësinë që organizatat ndërkombëtare të lehtësojnë dialogun.

Javën e kaluar, grupet kryesore politike në Parlamentin Evropian njoftuan se nuk do ta njohin Alyaksandr Lukashenkan si presidentin e sapozgjedhur të Bjellorusisë dhe e cilësuan atë si një person të padëshiruar (non grata) në BE.

SHIKONI EDHE: Galeotti: Lukashenkan do ta rrëzojnë nga pushteti bashkëpunëtorët e tij

Ky debat në Parlamentin Evropian u zhvillua në prag të një takimi joformal të ministrave të jashtëm të BE-së, i cili do të mbahet në Berlin, më 27 dhe 28 gusht, dhe në të cilin është paraparë të diskutohet situata në Bjellorusi.

Javën e kaluar, liderët dhe qeveritë e BE-së diskutuan për këtë çështje përmes një video-konference. Ata thanë se BE-ja nuk i njeh rezultatet zyrtare të zgjedhjeve presidenciale në Bjellorusi dhe se do të vendosë sanksione.

Vala e zemërimit në Bjellorusi është ngjallur qëkur Komisioni Qendror Zgjedhor ka thënë se Lukashenka, që ka qenë në pushtet nga viti 1994, ka fituar 80.1 për qind të votave, për dallim nga kandidatja e opozitës, Svetlana Tikhanovskaya, me 10.12 për qind.

Tikhanovskaya, që është larguar drejt Lituanisë pasi ka kundërshtuar publikisht rezultatet, thotë se nëse votat do të numëroheshin siç duhet, ajo do të fitonte 60 deri në 70 për qind të përkrahjes qytetare.

Përgatiti: Kestrin Kumnova