Mbyllja e mundshme e kufijve të vendeve evropiane, rrezik për Maqedoninë

Migrantët duke e kaluar kufirin Serbi - Maqedoni

Përfaqësuesit e organizatave humanitare dhe njohësit e çështjeve të sigurisë në Maqedoni konsiderojnë se mbyllja e mundshme e kufijve të disa vendeve evropiane rrit rrezikun për nxitjen e kriminalitetit dhe trafikimit me migrantë në Maqedoni.

Këto komente vijnë pas vendimit të Gjermanisë, Austrisë, Suedisë dhe Danimarkës për vendosjen eregjimit të kontrollit më të madh kufitar, për shkak të valës së theksuar të refugjatëve që hyjnë në këto vende nga Lindja e Mesme dhe Afrika e Veriut.

Jasmin Rexhepi, nga organizata joqeveritare LEGIS, e cila është e angazhuar gjatë tërë krizës së refugjatëve në qendrën pranuese në Gjevgjeli dhe Tabanovc, thotë se mbyllja eventuale e kufirit do ta rritë kriminalitetin.

“Sipas informacioneve që kam, me gjasë kufiri do të jetë i mbyllur për meshkujt e moshës madhore, të cilët udhëtojnë vetë, ndërkohë që ai do të mbetet i hapur për fëmijët, gratë dhe familjet”.

“Kjo situatë e re sigurisht se do të rezultojë me nxitjen e migrimit ilegal. Mendoj se mbyllja e kufirit do të rris edhe më shumë kriminalitetin, do të aktivizohen grupet të cilat merren me trafikimin e migrantëve, ndërkohë që do të rritet edhe korrupsioni në polici”, thekson Jasmin Rexhepi, nga organizata humanitare LEGIS.

Për Radion Evropa e Lirë, ai sqaron se nuk ka rrezik që migrantët të cilët kthehen nga ndonjë vend i Evropës të mbeten në Maqedoni, sepse ata do të kthehen nga vendi ku janë regjistruar për herë të parë, që është Greqia.

Ndërkaq, ish drejtori i Iniciativës Rajonale për Azil, Trpe Stojanovski, i cili aktualisht ligjëron në Fakultetin e Sigurisë në Shkup, thotë se vendet evropiane duhet të ndërtojnë në strategji të përbashkët për menaxhimin e krizës së refugjatëve.

“Në këtë situatë shumë delikate vendet evropiane duhet të demonstrojnë unitetin e tyre për t`u përballur me këtë sfidë. Mendoj se duhet të sinkronizohen të gjitha kapacitetet dhe resurset me të cilat disponojnë, që të kemi një qasje të përbashkët ndaj këtij problemi”.

“E them këtë sepse përgjegjësia etike e Evropës është shumë më e madhe në këtë dimension”, thekson Trpe Stojanovski, ish drejtor i Iniciativës Rajonale për Azil.

Ditëve të fundit në Maqedoni vërehet një numër më i vogël i migrantëve, të cilët vendin e kalojnë transit, për të arritur në ndonjë nga shtetet e Bashkimit Evropian, që e kanë destinacion të fundit.

Të dhënat e Ministrisë së Punëve të Brendshme të Maqedonisë bëjnë të ditur se gjatë 24 orëve të fundit, në qendrën pranuese në Gjevgjeli, janë regjistruar 729 migrantë.

Sipas këtyre të dhënave, që nga 1 janari i vitit 2016 e deri më 17 janar, në Maqedoni kanë hyrë 31 mijë e 629 migrantë nga Siria, Afganistani dhe Iraku, të cilët janë nisur drejt vendeve të Bashkimit Evropian.

Asnjë nga ata nuk ka kërkuar azil për të qëndruar në Maqedoni.