Ndërlidhjet

Qeveria vendos masa të reja mbrojtëse për produktet e naftës


Fotografi ilustruese.
Fotografi ilustruese.

Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë e Kosovës (MINT) ka vendosur të martën masa të tjera mbrojtëse për produktet e naftës, si dhe e ka caktuar çmimin e tyre për tre muajt e ardhshëm.

Sipas vendimit të ri, marzha tregtare maksimale e lejuar e shitjes me shumicë është dy centë për litër, ndërsa marzha tregtare maksimale e lejuar e shitjes me pakicë është 12 centë për litër.

Ky vendim hyri në fuqi sot dhe do të vlejë për 90 ditë, tha MINT-i.

MINT-i nënvizoi në një njoftim për media se e mori një vendim të tillë sepse ka gjetur “mospërshtatje të çmimeve vendore me lëvizjet e mëdha të çmimeve në tregun botëror”.

“Me qëllim mbrojtjen e konsumatorit, mbrojtjen e konkurrencës dhe për të mënjanuar çrregullimet në treg, MINT ka marrë vendim për caktimin e çmimit dhe masave tjera mbrojtëse të produkteve të naftës”, thuhet në njoftim.

Në Prishtinë aktualisht një litër naftë kushton nga 1.35 deri në 1.45 euro.

MINT-i theksoi se Inspektorati Qendror i Tregut në bashkëpunim me Doganën dhe Administratën Tatimore do ta rrisin mbikëqyrjen e zbatimit të vendimit të saj, si dhe të cilësisë dhe sasisë së produkteve të naftës.

Çmimet dhe kërkesa për naftë janë rritur në tregjet ndërkombëtare pas pushtimit të Ukrainës nga Rusia në shkurt 2022.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG