Ndërlidhjet

DASH kërkon që Irani t’ia kthejë familjes trupin e pajetë të gazetarit të REL-it


Reza Haghighatnejad.
Reza Haghighatnejad.

Departamenti amerikan i Shtetit ka shprehur neveri për raportimet se trupi i gazetarit të Radios Evropa e Lirë, Reza Haghighatnejad, është marrë nga Garda Revolucionare e Iranit, duke kërkuar nga autoritetet iraniane që trupi i gazetarit t’i kthehet familjes së tij.

“Jemi të neveritur nga raportimet se mbetjet mortore të Rezas janë marrë nga Garda Revolucionare, pasi ato u riatdhesuan në Iran për t’u varrosur në qytetin e tij të lindjes, Shiraz”, tha për REL-in një zëdhënës i DASH-it.

Haghighatnejad ka punuar për Shërbimin iranian të REL-it nga viti 2019, deri në vdekjen e tij.

Marrja e mbetjeve mortore të gazetarit Haghighatnejad “tregon shkallën e frikës së udhëheqjes së Iranit ndaj gazetarëve që bëjnë publike keqbërjet, dhe kjo frikë shfaqet edhe pas vdekjes së tyre”, tha DASH-i.

“Sipas të gjitha informacioneve, ai ishte një gazetar brilant, i përkushtuar për lirinë e shprehjes dhe zbulimin e së vërtetës”, tha zëdhënësi dhe shtoi se “ne u bëjmë thirrje autoriteteve iraniane që menjëherë të dorëzojnë te familja eshtrat e Rezait dhe të ndalojnë frikësimin e tmerrshëm të gazetarëve”.

Haghighatnejad, 45 vjeç, vdiq më 17 tetor në Spitalin Charite në Berlin dhe trupi i tij u riatdhesua në Iran për t'u varrosur më 25 tetor. Megjithatë, trupi i pajetë i tij u zhduk me të arritur në Iran mes raportimeve të pakonfirmuara se agjentët e Gardës Revolucionare e dërguan në një lokacion të panjohur.

Më herët, gjatë 27 tetorit, nëna e gazetarit, Beygumjan Raeisi tha se agjentët e sigurisë të Iranit rrëmbyen trupin e djalit të saj.

“Ky është mesazhi i nënës që nuk e ka parë djalin e saj për gjashtë vjet dhe nuk kishte dijeni për sëmundjen e tij dhe tani trupi i tij u kthye në Iran, por u rrëmbye në aeroport nga autoritetet”, tha nëna e Haghighatnejadit përmes një videoje.

Raeise nuk tha se nëse autoritetet kishin konfirmuar se ku kanë dërguar trupin e djalit të saj. Autoritetet iraniane ende nuk kanë komentuar për këtë çështje.

Familjarët dhe miqtë i thanë Shërbimit iranian të REL-it se kishin pasur lejet e nevojshme për varrosjen e gazetarit në Shiraz.

Haghighatnejad ishte larguar nga Irani pas rritjes së presionit ndaj gazetarëve dhe nisi të punonte në mediat jashtë vendit. Ai nuk mundi të kthehej në Iran për shkak të punës së tij si gazetar.

REL-i ka informacione që sugjerojnë se familja e Haghighatnejadit ka qenë nën presion nga Qeveria që të pajtohet që trupi i gazetarit të varrosej në një tjetër varrezë jashtë qytetit të tij të lindjes.

Presidenti i REL-it, Jamie Fly, tha se manipulimet e regjimit iranian ndaj familjes së Haghighatnejadit janë “të turpshme dhe të neveritshme” dhe shtoi se familjarët e tij meritojnë që t’u lejohet ta varrosin atë pa u penguar nga regjimi.

Haghighatnejad ishte një analist dhe komentator politik i shquar në mediat në gjuhën persiane brenda dhe jashtë Iranit. Vdekja e tij ndodhi në kohën kur Irani po përballet me trazira pas vdekjes së një vajze të re gjatë kohës sa ishte në mbajtje, pas arrestimit nën pretendimet se kishte shkelur rregullat e veshjes së hixhabit, apo shamisë së kokës.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG