Ndërlidhjet

Pse populli britanik nuk e zgjedh direkt kryeministrin?


Flamuri britanik. Fotografi ilustruese.
Flamuri britanik. Fotografi ilustruese.

AP

Qytetarët britanikë janë vetëm vëzhgues të zhvillimeve politike në vend, teksa kryeministrat ndërrohen pa mbajtur zgjedhje.

Derisa Partia Laburiste në opozitë po kërkon zgjedhje, Partia Konservatore e cila është në Qeveri sapo ka zgjedhur një lider nga radhët e veta - Rishi Sunak, kryeministri i tretë britanik që nga muaji shtator.

Ata kanë të drejtë ta bëjnë këtë për shkak të mënyrës se si funksionon demokracia parlamentare e Britanisë.

Britanikët nuk votojnë kurrë për kryeministrin e tyre

Britania është e ndarë në 650 zona zgjedhore lokale dhe gjatë zgjedhjeve qytetarët votojnë për përfaqësuesin që duan të bëhet anëtari i tyre lokal i Parlamentit. Në shumicën e rasteve, ky mund të jetë një anëtar i një prej partive kryesore politike të vendit: Partia Konservatore, Partia Laburiste, Liberal-Demokratët dhe të Gjelbërit.

Partia që fiton shumicën e vendeve në Dhomën e Përfaqësuesve mund të formojë qeverinë dhe lideri i saj bëhet automatikisht kryeministër.

Derisa koalicionet janë të mundshme, sistemi zgjedhor në Britani favorizon dy partitë më të mëdha - Konservatorët ose Laburistët. Në shumicën e rasteve një parti e vetme merr shumicën absolute të vendeve, siç është rasti i konservatorëve në Parlamentin aktual.

Partia që qeverisë mund të ndryshojë liderin e saj sipas rregullave të veta dhe ai person bëhet kryeministër, pa pasur nevojë që vendi të shkojë në zgjedhje.

A do të ketë zgjedhje të përgjithshme së shpejti?

Zgjedhjet e fundit të përgjithshme në Britani ishin në vitin 2019 dhe me Kushtetutë nuk kërkohen zgjedhje tjera deri në vitin 2024.

Por, me zgjedhjen e një kryeministri të tretë, shumë britanikë kanë filluar të pyesin veten pse nuk po përfshihen për të ndikuar në përcaktimin e liderit të tyre të ardhshëm. Zhurma për zgjedhje të përgjithshme në të ardhmen e afërt mund të bëhet edhe më e fortë.

Kryeministri ka fuqinë të shpallë zgjedhje më herët, por me Partinë Konservatore që mbetet shumë pas Partisë Laburiste në sondazhet e fundit, Sunak nuk ka gjasa ta bëjë këtë.

Ligjvënësit gjithashtu mund ta çojnë vendin në zgjedhje të parakohshme duke ngritur mocion ndaj Qeverisë në Dhomën e Përfaqësuesve, por kjo do të kërkonte që shumë konservatorë të votojnë kundër qeverisë së partisë së tyre.

Përgatiti: Erjonë Popova

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG