Biden do të bisedojë me presidentin ukrainas

Presidenti amerikan, Joe Biden duke biseduar me presidentin ukrainas, Volodymyr Zelenskiy. 9 dhjetor 2021.

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden, pritet që të zhvillojë një bisedë telefonike me homologun e tij ukrainas, Volodymyr Zelenskiy më 2 janar, teksa dy liderët planifikojnë që të shqyrtojnë përgatitjet për angazhimet e ardhshme diplomatike, që kanë për qëllim uljen e tensioneve pas grumbullimit të trupave ruse në afërsi të Ukrainës.

Gjatë kësaj bisede, Biden pritet që të “riafirmojë mbështetjen e SHBA-së për sovranitetin dhe integritetin territorial të Ukrainës në dritën e agresionit rus”, tha një zyrtar i Shtëpisë së Bardhë.

Kjo do të jetë biseda e dytë në tri javët e fundit ndërmjet liderëve, teksa Shtëpia e Bardhë po tenton që ta adresojë kërcënimin ushtarak, që ka alarmuan NATO-n, teksa autoritetet në Kiev kanë shprehur shqetësimet se në javët në vijim Rusia mund ta pushtojë Ukrainën.

Lexoni edhe këtë: Presidenti ukrainas: Nuk na frikëson asnjë ushtri

Biseda ndërmjet Bidenit dhe Zelenskiyt pason një bisedë që presidenti amerikan zhvilloi më 30 dhjetor me homologun e tij rus, Vladimir Putin. Në këtë bisedë, Biden kishte thënë se SHBA-ja dhe aleatët e saj do të vendosnin sanksione të ashpra nëse Rusia e pushton Ukrainën.

Rusia ka vendosur rreth 100,000 trupa në afërsi të kufirit me Ukrainën, teksa Moska po kërkon garanci të sigurisë nga SHBA-ja dhe NATO-ja.

Në veçanti, Rusia dëshiron që NATO-ja të mos e anëtarësojë Ukrainën dhe shtetet e tjera të ish-Bashkimit Sovjetik dhe të tërheqë dislokimet ushtarake nga Evropa Qendrore dhe Lindore.

Administrata Biden dhe NATO-ja vazhdimisht kanë thënë se Aleanca Veri-Atlantike mirëpret çdo shtet dhe asnjë shtet nuk e ka të drejtën e vetos mbi aspiratat e një shteti për t’iu bashkuar kësaj organizate. Uashingtoni ka thënë se nuk do të diskutojë për sigurinë e Ukrainës pa u konsultuar me Kievin.