Rusia pretendon t’i ketë rrëzuar 30 dronë ukrainas mbi dy rajone

Një ndërtesë banimi e dëmtuar në Stroitel, Belgorod, Rusi, 25 qershor.

Ministria e Mbrojtjes e Rusisë tha se kundërajrorët e saj i kanë rrëzuar 29 dronë ukrainas mbi rajonin Belgorod dhe një mbi rajonin Voronezh mëngjesin e së martës.

Guvernatori i Belgorodit, Vyacheslav Gladkov, tha se një grua u vra dhe katër njerëz të tjerë u plagosën gjatë sulmeve me dronë në fshatin Velovskoye dhe në qytetet Stroitel dhe Yakovlevsky.

Mediat lokale raportuan se shtëpi banimi dhe automjete u dëmtuan gjatë sulmeve.

Ukraina nuk ka komentuar rreth pretendimeve të Rusisë, të cilat nuk ka qenë e mundur të vërtetohen në mënyrë të pavarur.

Lexoni edhe këtë: Të paktën katër të vrarë nga sulmet ruse në lindje të Ukrainës

Qytetet në pjesën perëndimore të Rusisë janë përballur me sulme të vazhdueshme me dronë prej majit 2023. Për këto sulme, zyrtarët rusë e kanë fajësuar Kievin.

Zyrtarët ukrainas nuk marrin asnjëherë përgjegjësi për sulme në territorin rus, apo në Gadishullin e uzurpuar të Krimesë.

Rajoni i Belgorodit në veçanti ka qenë cak i sulmeve të mëdha. Në dhjetor 2023 u vranë 25 njerëz nga një sulm në qendër të qytetit Belgorod.

Lufta në Ukrainë ka nisur më 24 shkurt të vitit 2022.

Lexoni edhe këtë: BE-ja e miraton pakon e re të sanksioneve kundër Rusisë

Presidenti rus, Vladimir Putin, e quan luftën “operacion special ushtarak” për të çmilitarizuar Ukrainën.

Perëndimi është përgjigjur ndaj Rusisë, duke goditur ekonominë e këtij shteti me sanksione të ashpra.

Si pasojë e luftës kanë vdekur mijëra persona dhe miliona të tjerë janë zhvendosur nga shtëpitë e tyre.