Rusia thotë se centrali në Zaporizhja mbetet nën kontrollin e Moskës

Centrali bërthamor në Zaporizhja.

Centrali bërthamor në Zaporizhja, qytet jugor në Ukrainë, mbetet nën kontrollin e Rusisë, kanë thënë autoritetet e instaluara nga Moska në qytetin e afërt, Enerhodar, pasi një zyrtar ukrainas ka sugjeruar që forcat ruse janë duke u përgatitur për t’u larguar.

“Mediat janë duke përhapur vazhdimisht lajme të rreme që Rusia është duke planifikuar tërheqjen nga Enerhodari dhe largimin nga centrali. Ky informacion nuk është i vërtetë”, ka thënë administrata e instaluar nga Rusia.

Udhëheqësi i kompanisë shtetërore të energjisë në Ukrainë ka thënë se ka shenja që forcat ruse mund të jenë përgatitur për t’u larguar nga pjesa më e madhe e centralit në Zaporizhja, të cilin e kanë pushtuar në mars, pak pas nisjes së luftës në Ukrainë.

Ukraina, e cila është përballur me aksidentin më të rëndë bërthamor në Çernobil më 1986, dhe Rusia, në anën tjetër, kanë fajësuar njëra-tjetrën për bombardimet në kompleksin në Zaporizhja javë më parë.

Të dyja kanë paralajmëruar për rrezikun e një katastrofe bërthamore.

Lexoni edhe këtë: Kush e kontrollon centralin e Zaporizhjas dhe pse ka rëndësi?

Agjencia Ndërkombëtare për Energji Atomike dëshiron që të krijojë një zonë mbrojtëse rreth centralit bërthamor.

Lufta në Ukrainë ka nisur më 24 shkurt.

Presidenti rus, Vladimir Putin, e konsideron luftën si “operacion special ushtarak” për të çmilitarizuar Ukrainën.

Perëndimi është përgjigjur ndaj Rusisë, duke goditur ekonominë e këtij shteti me sanksione të ashpra.

Si pasojë e luftës kanë vdekur mijëra persona dhe miliona të tjerë janë zhvendosur nga shtëpitë e tyre.