Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, thotë se dëshiron ta finalizojë krijimin e një koalicioni të instruktorëve ushtarakë për Ukrainën, si dhe Kievi t’i fillojë bisedimet e anëtarësimit në BE kah fundi i këtij muaji.
Duke folur më 7 qershor në një konferencë për media me presidentin ukrainas, Volodymyr Zelensky, Macron tha se disa partnerë të Francës janë pajtuar tashmë për të marrë pjesë në koalicionin e instruktorëve.
“Ne do t’i përdorim ditët në vijim për ta finalizuar koalicionin më të madh të mundshëm, për zbatimin e kërkesave të Ukrainës”, tha Macron.
Lexoni edhe këtë: Zelensky: Agresioni rus nënkupton që Evropa s’ka paqeKryekomandanti i Ukrainës tha javën e kaluar se i ka nënshkruar dokumentet për t’i lejuar instruktorët ushtarakë francezë të kenë qasje në qendrat stërvitore ukrainase.
Rusia u përgjigj duke thënë se ata do të jenë “cak legjitim” për forcat ruse.
Në një konferencë të përbashkët për media me Zelenskyn, Macron gjithashtu foli edhe për hapjen e bisedimeve të anëtarësimit, duke thënë se Franca “vazhdon ta mbështesë Ukrainën në të gjitha fushat, përfshirë edhe në atë evropiane, duke kërkuar që bisedimet e anëtarësimit të hapen kah fundi i këtij muaji”.
Lexoni edhe këtë: KE-ja rekomandon hapjen e bisedimeve të anëtarësimit me Ukrainën dhe MoldavinëMacron shtoi se Franca është në anën e paqes, por tha se paqja nuk do të vijë përmes dorëzimit.
“Ne jemi për paqe, sipas ligjit ndërkombëtar, i cili ua mundëson njerëzve që sulmohen, ta mbrojnë veten”, tha Macron duke iu përgjigjur pyetjeve nëse është koha që të fillojnë bisedimet me Moskën.
Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, tha më herët më 7 qershor në Shën Petersburg se Rusia është e “gatshme për bisedime”, por me kushte, përfshirë marrjen parasysh të “realiteteve të sotme”- duke iu referuar aneksimit të jashtëligjshëm nga Moska të katër rajoneve në juglindje të Ukrainës dhe Krimesë.