Katër persona humbën jetën - në mesin e tyre dy ukrainas - dhe më shumë se 20 të tjerë u lënduan pasi një tren pasagjerësh u përplas me një tren mallrash në Republikën Çeke, njoftuan autoritetet të enjten.
Ministri i Brendshëm, Vit Rakushan tha se përplasja ndodhi të mërkurën në mbrëmje pas orës 23:00, përgjatë korridorit kryesor hekurudhor nga Praga drejt lindjes.
Treni i udhëtarëve me shpejtësi të lartë i përkiste kompanisë private RegioJet.
Rakushan tha se asnjë nga të plagosurit nuk ishte në rrezik për jetë.
Operatori i trenit të pasagjerëve tha më vonë se 380 pasagjerë ishin në trenin i cili ishte rrugës për në qytetin sllovak Koshice.
Një pjesë e trenit më pas do të nisej për në qytezën Chop, në Ukrainë.
"Sipas informacioneve paraprake, katër persona humbën jetën. Mes tyre janë dy shtetas të Ukrainës. Shtetësia e të tjerëve që humbën jetën po sqarohet", thuhet në deklaratën e ministrisë.
Ministri i Transportit, Martin Kupka tha se rruga kryesore midis Pragës dhe pjesës lindore të vendit duhej të mbyllej ndërsa autoritetet hetonin përplasjen.
"Ne nuk mund dhe nuk do të spekulojmë për shkakun e aksidentit", tha Kupka.
Policia tha më vonë se po hetonte një neglizhencë të mundshme.
Një postim i policisë çeke në llogarinë e saj në rrjetet sociale tregonte një kolonë automjetesh të shërbimit të urgjencës dhe një helikopter.
V Pardubicích došlo ke srážce osobního a nákladního vlaku. Na místě aktuálně probíhá zásah všech složek IZS, byl vyhlášen traumaplán, na místě je velké množství zraněných, nemůžeme vyloučit ani mrtvé. #policiepak pic.twitter.com/P4EHlAAYQD
— Policie ČR (@PolicieCZ) June 5, 2024
Kompania shtetërore e trenave, Hekurudhat Çeke tha se binarët mund të qëndrojnë të mbyllur për gjithë ditën "për shkak të shkallës së aksidentit".
Ajo këshilloi pasagjerët që të shmangin përdorimin e itinerarit gjatë gjithë ditës.
Zjarrfikësit arritën të zbulojnë identitetin e të gjithë pasagjerëve dhe sipas tyre askush nuk mungonte.
Drejtuesit e të dy motorëve mbijetuan, tha agjencia çeke e lajmeve.
Pas aksidentit, shtatëmbëdhjetë persona u pranuan në departamentin e urgjencës të spitalit Pardubice.
Kryeministri Petr Fiala e quajti aksidentin një tragjedi të madhe dhe shprehu ngushëllimet e tij për familjet e të vdekurve.
Ndërkaq pronari i RegioJet, tha se kompania e tij ishte gati të kompensonte pasagjerët.