Jeta nën tokë e banorëve në qytetin e çliruar ukrainas

Gati katër muaj pasi trupat ruse u larguan nga qyteti lindor i Donbasit, Liman, banorët si Lyubova po luftojnë për të mbijetuar mes rrënojash në bodrumet që ata i quajnë shtëpi.

Deri në 90 për qind e strukturave të ndërtesave në Liman mendohet se janë shkatërruar ose dëmtuar pas pushtimit rus gati një vit më parë.

Zhurmat e artilerisë janë gjithmonë afër ndërsa forcat ruse kryejnë ofensivë drejt qytetit Liman, i cili është 60 kilometra në veri të Bahmutit, ku janë zhvilluar disa nga luftimet më të ashpra.

Duke qëndruar mes rrënojave të shtëpisë së saj të mëparshme, Lyubova ishte ndër banorët që mbetën në qytet gjatë pushtimit rus. Shumë nga ata që nuk u larguan, ishin të moshuar, të varfër ose që kujdeseshin për të afërmit e sëmurë.

Fotografitë e familjes së Lyubovas zbukurojnë murin në bodrumin që ajo e quan shtëpi. Ajo ka jetuar në bodrum për më shumë se 270 ditë pasi apartamenti i saj në katin e fundit u shkatërrua nga granatimet qysh në prill.

Me temperaturat që shkojnë drejt rënies, qeveria dhe grupet humanitare kanë sjellë stufa dhe kanë shpërndarë dru për familjet. Evelina është mes rreth 700 fëmijëve që jetojnë në Lyman. Ajo jeton me nënën, gjyshen dhe katër fqinjët e saj në këtë bodrum.

Evelina qëndron në dhomën e bodrumit që ndan me Leonidin (djathtas), i cili para luftës e kishte përdorur hapësirën si punishte.

Kryetari i bashkisë së Limanit, Oleksandr Zhuravlov, tha se 3.000 banorë janë kthyer që nga çlirimi i qytetit.

Evelina me qenushin e saj Umka.

"Për momentin, ne nuk u rekomandojmë njerëzve të kthehen këtu. Përkundrazi, ata janë më mirë në vende dhe qytete më të sigurta", tha Zhuravlov. 

Një tjetër banore, Darya, duke gatuar një shujtë në bodrum, të cilin e ndan me të tjerët, ndërsa shihen të palosura drutë e zjarrit dhe disa bidonë uji që u nevojiten për të mbijetuar. Pa ujë të rrjedhshëm ose sistem të ngrohjes qendrore, kushtet mund të jenë stresuese.

Megjithatë, banorët përpiqen të krijojnë një ndjenjë normaliteti, siç është Svitlana e buzëqeshur, e fotografuar me fotot e mbesës së saj.

Volodymyri ulur pranë hyrjes në ndërtesën e banesës së tij, në bodrumin e së cilës jetojnë ai dhe tre fqinjët e tij. Ai e kalon kohën duke prerë dru, të cilat u nevojiten banorëve për t'u ngrohur.

Fedir duke nxjerrë ujë me pompë nga një pus pranë banesës së tij të dëmtuar. Ai, gjithashtu, jeton në bodrum me familjen e tij.

Pavarësisht luftimeve të ashpra që vazhdojnë në rajonin e Donbasit dhe përkeqësimit të kushteve të motit, civilët po kthehen në qytetet e çliruara të Ukrainës afër vijës së frontit, kundër rekomandimeve të autoriteteve lokale.