Alternativa e hungarezëve për banim të lirë
Mihaly Pogany, 28-vjeçar, i cili punon si agjent sigurimesh, duke mbledhur barishtet e këqija nga fusha e tij me kunguj, në fermën e tij afër Keçkemetit. Pogany është njëri prej gjithnjë e më shumë hungarezëve që kanë zgjedhur të ndërtojnë kasolle si shtëpi të tyre.
Për dallim prej modeleve të hershme në Azinë Qendrore, versionet moderne të kasolleve mund të kenë veçori që garantojnë efikasitet energjetik, si panele diellore, pajisje për grumbullim të shiut dhe ngrohje elektrike të dyshemesë, si dhe dritare dhe dyer me izolim të dyfishtë.
Pogany thotë se bota ka ndryshuar dhe se njerëzit duhet të përshtaten me një nivel më të ulët të rehatisë. “Është luks i madh t’i ngrohësh banesat në 26 gradë Celsius”, shprehet ai.
Petra dhe Mihaly Pogany-Bago po ashtu kanë në pronësi një kasolle. Çifti i ri, i cili është në pritje të fëmijës së parë, ka hyrë në shtëpinë e re tre muaj më parë.
Për dallim prej shtëpisë së dikurshme të tyre në fermë, ku ata mund ta ngrohnin vetëm njërën dhomë me një stufë me dru, kasollja e tyre ka ngrohje elektrike të dyshemesë, ndërsa stufa mund ta ngrohë tërë strukturën.
Teksa ata po presin fëmijën e tyre të parë, ngrohja është më e rëndësishme se kurrë. “Për mua, është një lehtësim i madh... Nuk kam frikë se do të kemi ftohtë, sepse e di se stufa do të na mbajë ngrohtë”, thotë Petra Pogany-Bago.
Për të siguruar të ardhura shtesë, familja Pogany-Bago po ashtu mban dele dhe kultivon kunguj për shitje. Ata planifikojnë të jetojnë në kasolle disa vite, dhe në të njëjtën kohë të kursejnë para për të rindërtuar shtëpinë e tyre të vjetër në fermë.
Një tjetër pronar kasolleje është David Zih, filmbërës, i cili ka ndërtuar një kasolle prej 80 metrash katrorë për rreth 25.000 dollarë – apo çerekun e çmimit të një shtëpie të vogël mesatare në Hungari. “Derisa kasollja të jetë e gatshme, për mua do të ketë kushtuar përgjysmë më pak sesa një shtëpi e vogël”, thotë Zih. “Mora një ofertë për një shtëpi të tillë në pranverë, dhe deri në vjeshtë çmimi u rrit për 30 për qind”.
Për njerëzit që nuk kanë mundësi të blejnë një shtëpi, për shkak të rritjes së çmimeve të ndërtimit dhe të energjisë, krijimi i një kasolleje moderne mund të jetë një opsion i përballueshëm.
Ndërtimi i kasolles më të madhe merr rreth tri ditë kohë. Në Hungari, ekzistojnë disa ndërtues kasollesh, dhe shumica prej tyre kanë njoftuar se kanë marrë shumë kërkesa dhe porosi të reja.
Ndërtuesi i kasolleve, Gabor Adorjan, ka thënë se janë rritur kërkesat për kasollet më të mëdha, të cilat përgjithësisht përdoren për banim, dhe se ai është i zënë me punë deri verën e ardhshme.
Sipas Adorjanit, ekzistojnë rreth 1.000 kasolle nëpër hungari, dhe më shumë e më shumë sosh po përdoren për banim. Më herët, ato përdoreshin vetëm nga turistët apo nga njerëzit e shkëputur nga bota.
Kasollet janë po ashtu më të lira dhe më të lehta për t’u ngrohur, teksa ajri qarkullon nëpër një hapësirë të vetme rrethore, e cila e mban ngrohtësinë më gjatë, përderisa muret janë të izoluara, ka thënë Adorjan. “Edhe stufa më e vogël mund ta ngrohë një kasolle brenda një kohe të shkurtër”.