Gjermania nikoqire e bisedimeve për paqe mes Armenisë dhe Azerbajxhanit

Ministrja e Jashtme e Gjermanisë, Annalena Baerbock (në mes) i mirëpret ministrin e Jashtëm armen, Ararat Mirzoyan (majtas), dhe ministrin e Jashtëm azerbajxhanas Jeyhun Bayramov, për bisedime për paqe në Berlin, Gjermani, 28 shkurt 2024.

Gjermania i mirëpriti ministrat e Jashtëm të Azerbajxhanit dhe Armenisë për bisedime dyditore të mërkurën, pesë muaj pasi Azerbajxhani e rimori rajonin e vet, Karabak, nga shumica armene, duke shkaktuar një eksod masiv të armenëve etnikë.

Azerbajxhani ka qenë tejet kundër përfshirjes së jashtme në ndërmjetësimin e një marrëveshjeje, me presidentin Ilham Aliyev që e kishte akuzuar SHBA-në se po i vinte në rrezik marrëdhëniet duke ia mbajtur anën Armenisë.

Por, ministrja e Jashtme e Gjermanisë, Annalena Baerbock, udhëtoi në këto dy vende në nëntor. Ndërsa, kancelari gjerman Olaf Scholz u takua me Aliyevin dhe kryeministrin armen Nikola Pashinyan, në margjinat e Konferencës së Sigurisë në Munih këtë muaj.

“Kryeministri [Nikol] Pashinyan dhe presidenti [Ilham] Aliyev kanë theksuar se janë të gatshëm për paqe, për t’i zgjedhur çështjet e rëndësishme ekskluzivisht përmes mënyrave paqësore”, tha Baernock në fillim të bisedimeve.

Lexoni edhe këtë: Azerbajxhani dhe Armenia pajtohen për disa hapa drejt ndërtimit të besimit

Në dhjetor, dy vendet fqinje të Kaukazit Jugor e lëshuan një deklaratë të përbashkët përmes të cilës thanë se duan ta arrijnë një marrëveshje për paqe.

Armenia e krishtere dhe Azerbajxhani me shumicë myslimane u futën në luftë për herë të parë për shkak të rajonit Nagorno-Karabak më 1988. Pas shumë dekadave armiqësi, Azerbajxhani në shtator e rimori Karabakun, i cili kontrollohej nga shumica armene prej viteve ’90, edhe pse ndërkombëtarisht ky rajon njihet si pjesë e Azerbajxhanit.

Ofensiva i nxiti shumicën e rajonit prej 120.000 armenëve etnikë të iknin në Armeninë fqinje.

Armenia e ka përshkruar ofensivën si spastrim etnik. Azerbajxhani e ka mohuar këtë dhe ka thënë se ata që ikën kanë mundur të qëndronin dhe të integroheshin në Azerbajxhan.

Lexoni edhe këtë: Aeroporte dhe zbrazëtira: Brenda rajoneve që Azerbajxhani i rimori nga Armenia

“Tridhjetë vjet konflikt kanë shkaktuar vuajtje të mëdha, humbje jetësh dhe plagë të thella në të dyja anët”, tha Baerbock.

Baerbock u takua ndaras me homologun e vet azerbajxhanas dhe atë armen të mërkurën, para se ta mbante një takim trepalësh.

Në mesin e telasheve të mëdha mes dy vendeve fqinje është edhe mungesa e një marrëveshjeje për kufirin, pasi të dyja mbajnë enklava të vogla të rrethuara nga territoret e njëra-tjetrës.

Shtetet e Bashkuara, Bashkimi Evropian dhe Rusia kanë tentuar për shumë dekada ta ndërmjetësojnë një marrëveshje mes palëve.