Viti 2022 në objektivin e fotografëve të REL-it
Automjetet e shkatërruara ushtarake ruse në një rrugë në qytetin e Buçës, afër Kievit, në Ukrainë. Forcat ruse dështuan të rrethojnë apo të pushtojnë kryeqytetin, dhe u zmbrapsën nga rajoni.
Fotografi Serhii Nuzhnenko tha se fotografoi “armatimin e rëndë, të djegur, të ushtrisë së Rusisë në rrugën ‘Vokzalna’”. Ai tha se kjo ishte “një ndër kolonat e para të ushtrisë së Rusisë që u fut në Buça. Afër saj ndodhet rruga ‘Jablunska’, ku ushtarët rusë vranë civilët gjatë okupimit të qytetit. Fotografia është shkrepur më 1 mars. Më 3 mars, qyteti u okupua nga ushtria ruse".
Qytetarët duke protestuar në Almati, Kazakistan, më 13 shkurt, në kujtim të personave të vrarë gjatë demonstratave të paprecedente antiqeveritare në fillim të janarit.
Protestat paqësore në mbarë vendin për shkak të një rritjeje të çmimeve të naftës u pasuan nga trazirat e dhunshme dhe një shtypje e dhunshme në janar. Qindra njerëz – përfshirë 18 oficerë të sigurisë – u vranë gjatë përleshjeve, teksa presidenti Qasym-Zhomart Toqaev urdhëroi forcat e sigurisë të shtinin me armë pa paralajmërim.
Mariupoli, në Ukrainë, më 5 shkurt.
Fotografi Amos Chapple tha se “kjo fotografi është shkrepur më pak se tri javë para se Rusia të niste një pushtim të shkallës së gjerë në Ukrainë dhe të shkatërronte Mariupolin në masë të madhe. Ishte e çuditshme të isha atje atë kohë, dhe t’i dëgjoja banorët të thoshin se e ndienin të mundshëm një pushtim, teksa vazhdonin të bënin jetë normale. Një burrë vendës në plazh më tha se i konsideronte gjasat për një pushtim të afërt rreth pesëdhjetë me pesëdhjetë. Më pas, ai vazhdoi të ecte bashkë me partneren e tij dhe me macen e tyre, sikur s’e vrisnin mendjen për asgjë në botë”.
Një kamion i djegur raketahedhës i Rusisë dhe trupi i pajetë i një ushtari afër Harkivit, në Ukrainë, më 25 shkurt.
Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, nisi pushtimin e Ukrainës më 24 shkurt.
Qendra e Odesës, në Ukrainë, dukej si një fortesë e rrethuar me thasë me rërë, më 5 mars, teksa trupat ukrainase dhe banorët përgatiteshin të ndalnin një sulm të mundshëm nga forcat tokësore ruse, të cilat nuk erdhën kurrë.
Një marsh për nder të Ditës Ndërkombëtare të Gruas, në Bishkek, Kirgizi, më 8 mars.
Pasojat e sulmit të Rusisë në Irpin, afër Kievit, në Ukrainë, më 11 mars.
Fotografi Serhii Nuzhnenko e përshkroi vendin si “kufiri mes vdekjes dhe jetës”. Ai tregoi se “në horizont është qyteti i djegur, i tymosur, i okupuar i Buçës. Civilët e ngujuar në përpjekje për t’i ikur luftimeve, të mbuluar me të bardha dhe duke mbajtur flamuj të bardhë”.
Salome Barker, me një maskë me ngjyrat e flamurit të komunitetit LGBT, para Gjykatës së Qytetit në Tbilisi, Gjeorgji, më 4 prill, duke vështruar policinë teksa priste vendimin për personat e arrestuar mbi akuzat për dhunë kundër gazetarëve. Arrestimet pasuan një tubim të mbajtur më 5 korrik 2021, kundër një marshi të planifikuar të komunitetit LGBT, në kryeqytetin e Gjeorgjisë, i cili kaloi në dhunë, teksa protestuesit sulmuan aktivistët dhe gazetarët, përfshirë dy reporterë të Radios Evropa e Lirë.
Fotografja Mzia Saganelidze tha se “mediat e lira dhe aktivizimi civil janë vitalë për Gjeorgjinë, sepse ekzistenca e tyre na jep neve mundësinë të flasim zëshëm për të drejtat e njeriut, për barazi, për gjyqësor të lirë, për cilësi të demokracisë, dhe për të gjitha çështjet që do t’i ndihmojnë vendit të zhvillohet dhe të krijojë një të ardhme më të mirë”.
Policia pakistaneze duke inspektuar zonën rreth automjeteve të shkatërruara, pas një shpërthimi afër Institutit të Kinës në Universitetin e Karaçit, në Pakistan, më 26 prill, i cili la të vrarë tre qytetarë kinezë dhe shoferin e tyre pakistanez, sipas zyrtarëve.
Pjesëmarrësit duke marshuar gjatë një Parade të Krenarisë të komunitetit LGBT në Prishtinë, Kosovë, më 9 qershor.
Tankisti ukrainas, Yura, afër Novoluhanskes, në rajonin e Donjeckut, në Ukrainë, më 11 qershor.
Një ceremoni e lamtumirës për gazetarin Roman Ratushny, në Kiev, Ukrainë, më 18 qershor.
Fotografi Serhii Nuzhnenko tha se “më 18 qershor u mbajt një ceremoni e lamtumirës në Kiev për aktivistin e mirënjohur publik dhe gazetarin Roman Ratushny. Kishte shumë fytyra të përlotura në mesin e turmës së heshtur të pjesëmarrësve që erdhën për homazhe. Nga dita e parë e pushtimit rus, Ratushny mori pjesë në beteja afër Kievit, dhe më pas iu bashkua ushtrisë. Ratushny do të kishte mbushur 25 vjet më 5 korrik. Djaloshi vdiq më 9 qershor, në një betejë afër Izjumit, duke luftuar për vendin e tij. Unë nuk e njihja Romanin personalisht, ndonëse rrugët tona u kryqëzuan më shumë se një herë në protesta të ndryshme në Kiev, ku ai ishte gjithmonë i përfshirë”.
Rezervati natyror Altin Dala, në rajonin Kostanai, në Kazakistan, më 22 qershor. Ky është vendi ku shkencëtarët kujdesen për popullatën e kulanëve, një specie kafshësh vendëse në Azinë Qendrore, të cilët duken të ngjashëm me gomarët, por janë po aq të shpejtë dhe të zhdërvjellët sa kuajt.
Gjeorgjianët duke marrë pjesë në një tubim në mbështetje të integrimit evropian, në Tbilisi, Gjeorgji, më 24 qershor.
Arkivolet që përmbajnë mbetjet mortore të 50 viktimave, të identifikuara së voni, të gjenocidit të Srebrenicës, të vendosura brenda një salle në Potoçari, Bosnje e Hercegovinë, më 10 korrik, para varrimit. Bosnje e Hercegovina shënoi përvjetorin e 27-të të vrasjes së mijëra burrave dhe djemve myslimanë të Bosnjës nga forcat serbe të Bosnjës, gjatë Luftës së Bosnjës në vitet ’90.
Shpërndarësit me biçikleta duke luajtur shah dhe duke bllokuar trafikun në urën “Margit”, në Budapest, Hungari, më 18 korrik, teksa protestonin kundër ndryshimeve të një sistemi të thjeshtëzuar taksash, i njohur si KATA. Kritikët thanë se ndryshimet do t’i dëmtojnë bizneset e vogla dhe do t’i prekin qindra mijëra njerëz.
Një simbol i ndryshkur sovjetik në një konvikt të vjetër të një fabrike në distriktin Admiraltejskaja (apo Bishbalta), në Kazan, Republika ruse e Tatarstanit, më 1 gusht.
Distrikti do të shënojë përvjetorin e 305-të më 2023. Ai u themelua nga sundimtari rus, Pjetri i Madh, më 1718. Fillimisht ishte qendër për ndërtimin e anijeve ruse, ndërsa gjatë kohës sovjetike, distrikti u bë i njohur për prodhimin e lëkurës dhe të pajisjeve mjekësore. Autoritetet premtuan rindërtimin e distriktit historik disa herë, por një gjë të tillë nuk e bënë.
Tymi duke u ngritur në qiell pas një sulmi rus ndaj një ferme në rajonin e Donjeckut, në Ukrainë, më 8 gusht.
Fotoreporteri Maryan Kushnir tha se “veprimet ushtarake në Ukrainë ishin në kulmin e tyre. Skena kryesore e luftës u bart në lindje të Ukrainës: në veçanti në rajonet Donjeck dhe Luhansk. Trupat ukrainase manovruan nëpër fushat e mbjella të Donbasit. Kulturat po digjeshin dhe po vyshkeshin, përderisa ushtarët ende po i mbanin vijat e tyre të mbrojtjes."
Gjahu për tartuf në Bullgarinë veriore, më 9 gusht.
Fotografi Amos Chapple tha se “prej vitesh kisha dëgjuar për nxjerrjen e tartufit në pyjet e Bullgarisë, por ishte gjithmonë e vështirë të siguroje detaje. Dukej si një nga ato gjërat e paqarta e të largëta, për të cilat ishte shumë e vështirë të sigurohej qasje. Më pas, gjeta një udhërrëfyes nga Sofja, i cili kishte kontakte në industrinë e tartufit. Përmes tij, arrita të lidhem me gjahtarin e tartufit, Ivaylo Penev, dhe me dy qentë e tij të këndshëm. Nganjëherë, fotografitë kapin një moment që mund të mos pasqyrojë krejt përvojën, por kjo fotografi vërtet përmblodhi punën e Penevit: jashtë në natyrë, në agim, me mjetin e tij për nxjerrjen e tartufit dhe me dy qentë e tij, që vërtet s’mund ta fshihnin gëzimin e tyre që po fillonin punën”.
Ushtarët ukrainas duke hapur zjarr me mortajë në rajonin e Donjeckut, në Ukrainë, më 10 gusht.
Studentja 18-vjeçare, Alishah, paraqet një figurë të pazakontë në rrugët e Karaçit, në Pakistanin jugor, duke punuar si shofere taksie, më 25 gusht. Babai i saj, i cili vuante nga diabeti, e kishte mësuar të voziste para se ai të vdiste, gjashtë muaj më herët. Që atëherë, ajo e ka zënë rolin e tij, duke e mbajtur familjen e saj, ndërsa vazhdon studimet.
Denys, një luftëtar ukrainas, i cili kishte punuar si arkeolog dhe si mësues, deri kur Rusia nisi pushtimin e Ukrainës më 24 shkurt, duke pushuar mes angazhimit ushtarak, si pjesëtar i një njësiti mortajistësh, në pozicionet e avancuara, në rajonin e Donjeckut, në Ukrainë, më 29 gusht.
Fotografi Serhii Nuzhnenko tha se “përderisa po qëndronim në një llogore, në vijën e frontit, ne biseduam për historinë, për kohët e lashta, për mënyrën se si Denys i kryente gërmimet në jug dhe se si i mësonte të rinjtë për të ruajtur trashëgiminë e tyre kulturore. Ne qeshëm së bashku se ai tani është arkeolog në Donbas. Nuk ka luftë pa humor të zi, dhe gazetarët në luftë në vende të caktuara janë të vetmit njerëz joushtarakë që luftëtarët mund t’i takojnë dhe të kujtojnë një jetë të kaluar që duket aq e largët”.
Varreza masive të njerëzve dhe të ushtarëve ukrainas, të zbuluara afër qytetit të Izjumit, në Ukrainë, më 15 shtator.
Emigrimi i kuajve nga malet Tusheti drejt Gjeorgjisë lindore, më 11 tetor.
Fotografi Amos Chapple tha se “ky ishte fundi i ditës së parë për realizimin e një reportazhi për një bareshë gjeorgjiane, e cila zbriti nga malet drejt fushave të Kaketit, ku kuajt e saj do ta kalojnë dimrin. Pata një ditë të ngarkuar dhe gati u rrëzova nga kali im, i cili quhej ‘Al Qaeda’. Kjo fotografi është shkrepur pasi ngrita tendën time, ndërsa më pas hipa në një kamion të vjetër sovjetik, i cili po transportonte tuba betoni. Udhëtova me kamion për një kohë, teksa ai lëvizte nëpër rrugët malore, derisa e pashë kopenë. Zbrita nga ai dhe pata mjaftueshëm kohë për t’i shkrepur disa fotografi para perëndimit të diellit, teksa Nadia Beard, korrespondentja e REL-it në Gjeorgji, po kalëronte në ballë të kopesë, ndërsa barinjtë gjeorgjianë qëndronin në fund, teksa shkonim drejt vendit të kampit dhe një darke të shumëpritur”.
Një aktiviste nga lëvizja “Oyan, Qazaqstan!” (Zgjohu, Kazakistan!), duke protestuar në ditën e zgjedhjeve presidenciale, në Almati, Kazakistan, më 20 nëntor.
Mjekët ushtarakë ukrainas duke trajtuar një pacient në qytetin e rrethuar të Bahmutit, në Ukrainë, në nëntor.
Tunelet sekrete detare në Gjirin e Kotorit, në Malin e Zi. Nëntor 2022.
Fotografi Amos Chapple tha se “kjo fotografi e një tualeti detar jugosllav u bë mjaft e popullarizuar. Ajo përfundoi në ballinën e [platformës sociale] Reddit, ku qindra komentues argumentuan për dhe kundër një tualeti të tillë. Brenda një dite, fotogaleria e REL-it filloi të merrte mijëra shikime nga kërkimet në Google. Një personalitet rus në Instagram, të cilin unë e ndjek, e cila publikon fotografi të tmerrshme të tualeteve publike në Siberi, tha diçka shumë qesharake për të. Ajo publikoi fotografinë e këtij tualeti ‘vetëpastrues’, duke thënë diçka si: ‘E gjeta zgjidhjen!’.