Baerbock e konsideron shqetësuese situatën në Ballkan teksa niset në Shqipëri

Ministrja e Jashtme e Gjermanisë, Annalena Baerbock.

Ministrja e Jashtme e Gjermanisë, Annalena Baerbock do të udhëtojë të enjten në Shqipëri, në kohën e rritjes së tensioneve mes Kosovës dhe Serbisë.

Baerbock do të bisedojë me liderët e dy vendeve dhe do të vazhdojë t’iu bëjë thirrje palëve që t’i ulin tensionet, në margjina të një takimi me ministrat e Jashtëm të Ballkanit Perëndimor, ka thënë zyra e Ministrisë së Jashtme gjermane.

Takimet në Shqipëri do të mbahen në kuadër të “Procesit të Berlinit”, i lansuar më 2014 për të promovuar bashkëpunim në mes të gjashtë shteteve të Ballkanit Perëndimor.

Kriza e fundit mes Kosovës dhe Serbisë është përshkallëzuar pas sulmit ndaj Policisë së Kosovës nga një grup i armatosur serb në Banjskë të Zveçanit më 24 shtator.

Si pasojë e sulmit është vrarë një zyrtar policor ndërsa në shkëmbim e sipër të zjarrit janë vrarë edhe tre sulmues.

Baerbock ka thënë se situata në rajonin e Ballkanit është “shqetësuese”.

Lexoni edhe këtë: Evropianët presin që liderët e Kosovës dhe Serbisë të takohen në Granadë të Spanjës

“Serbia ka për detyrë të bëjë thirrje për heqjen dorë nga dhuna”, është cituar të ketë thënë ajo.

Sipas saj, shenjat fillestare që ushtria serbe e ka zvogëluar prezencën në kufi me Kosovën përbën hap fillestar të rëndësishëm, mirëpo duhet marrë edhe hapa shtesë drejt uljes së tensioneve.

Ndërkohë, një zëdhënës i Ministrisë së Mbrojtjes në Gjermani ka thënë se aktualisht nuk ekzistojnë plane për rritje të numrit të ushtarëve gjermanë, të angazhuar në Kosovë, në kuadër të misionit të NATO-s në Kosovë, KFOR.

Aktualisht në kuadër të misionit të KFOR-it janë të angazhuar 71 ushtarë gjermanë.