Putin nënshkruan ligjin që penalizon pjesëmarrjen në OJQ-të e huaja

Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin.

Presidenti rus, Vladimir Putin, ka nënshkruar në ligj, përmes së cilit penalizohet pjesëmarrja në aktivitetet e organizatave joqeveritare të huaja, të cilat Rusia i shpall të "të padëshirueshme".

Nënshkrimi ndodhi më 28 qershor, pesë ditë pas miratimit nga ana e dhomës së lartë të parlamentit rus. Dhoma e ulët e parlamentit e miratoi masën më 16 qershor.

Ligji parashikon dënime deri në gjashtë vjet burgim për qytetarët të cilët shpallen fajtorë për organizimin e aktiviteteve të organizatave ndërkombëtare “të padëshirueshme” në territorin rus.

Ligji do të vlejë edhe për qytetarët dhe entitetet ruse të vendosura në çdo vend të botës, të cilëve u ndalohet të marrin pjesë në aktivitetet e organizatave të huaja joqeveritare që janë shpallur "të padëshirueshme" në Rusi.

Individët që marrin pjesë në aktivitetet e veprimtarive të organizatave të tilla mund të dënohen deri në katër vjet burgim, ndërsa dënimi për mbledhjen e fondeve për grupe të tilla do të jetë deri në pesë vjet burg.

Lexoni edhe këtë: BE nuk pajtohet për takimin me Putinin

Ligji gjithashtu thotë se individët të cilët vullnetarisht ndërpresin bashkëpunimin me organizatat "e padëshirueshme" ose ndihmojnë në mbylljen e operacioneve të organizatave të tilla nuk do të përballen me padi penale.

Ligji krijon mundësi të gjurmimit të transfereve të parave në disa vende. Lista e këtyre vendeve do të përcaktohet përmes një marrëveshjeje me Bankën Qendrore.

Këtë proces do ta bëjë: Rosfinmonitoring, mekanizmi që monitoron dhe lufton pastrimin e parave në Rusi.

Në vitet e fundit, Kremlini ka ndërmarrë një sërë masash që kanë kufizuar veprimtarinë e organizatave jofitimprurëse dhe joqeveritare që janë financuar nga burime të huaja - kryesisht nga Evropa dhe Shtetet e Bashkuara.