Kina kundërshton hetimet amerikane për origjinën e COVID-19

Disa djem mbajnë maska ​​mbrojtëse, doreza dhe shishe uji të modifikuara në një karrocë në një aeroport në Kinë.

Kina kundërshton hetimet e paralajmëruara amerikane për origjinën e koronavirusit, duke akuzuar Uashingtonin se po provon të politizojë kërkimet, raporton DPA.

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden, urdhëroi të mërkurën (26 maj) agjencitë e inteligjencës amerikane që për një periudhë prej tre muajsh t'i raportonin atij nëse koronavirusit i ri e ka burimin te kafshët apo nga ndonjë aksident laboratorik.

Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme kineze, Zhao Lijian, të enjten akuzoi SHBA-në se po përpiqet të fajësojë Kinën për pandeminë dhe mbrojti qëndrimin tashmë të njohur kinez se, koronavirusi nuk ka dalur nga laboratori.

Ai theksoi se ekspertët e Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH) kishin ardhur në përfundim në muajin shkurt se dalja nga laboratori ishte "jashtëzakonisht e pamundur".

Lexoni edhe këtë: Biden u kërkon agjencive të inteligjencës të hetojnë origjinën e COVID-19

Nëse SHBA-ja i kërkon Kinës të marrë pjesë në një hetim të plotë, tha ai, atëherë edhe Kina do t'i kërkonte SHBA-së të ndiqnin shembullin dhe të lejonin hetime ndërkombëtare.

Duke cituar një raport të inteligjencës amerikane, The Wall Street Journal raportoi të dielën se tre persona nga Instituti i Virologjisë në Vuhan u shtruan në spital me një sëmundje në nëntor të vitit 2019, një muaj para se Pekini të zbulonte ekzistencën e një shpërthimi të epidemisë në Vuhan.

Sipas presidentit Biden, agjencitë aktualisht janë të ndara sa i takon burimit të mundshëm të virusit që përfshiu planetin gjatë vitit të kaluar, duke vrarë më shumë se 3.4 milionë njerëz.

Your browser doesn’t support HTML5

Gruaja që lindi Rrezen dhe u vendos në komë nga COVID-19

Republikanët, përfshirë ish-presidentin amerikan, Donald Trump, kanë promovuar teorinë se virusi doli nga një aksident laboratorik.

Biden zbuloi se dy nga 18 agjencitë e inteligjencës anojnë më shumë nga origjina në kafshë e koronavirusit dhe "një anon më shumë" në teorinë e laboratorit.

Secila nga këto agjenci ka "besim të ulët ose të moderuar" në këto teori, sipas Biden.

Presidenti udhëzoi laboratorët kombëtarë të SHBA për të ndihmuar hetimin dhe i bëri thirrje Kinës që të bashkëpunojë me hetime ndërkombëtare për origjinën e pandemisë.