SHBA s’e përjashton armatosjen e rebelëve sirianë

Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Chuck Hagel.

Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Chuck Hagel, ka thënë se administrata Obama nuk përjashton më armatosjen e rebelëve sirianë.

Kjo është hera e parë që një zyrtar i lartë amerikan thotë haptazi se Shtetet e Bashkuara janë duke shqyrtuar kundërshtimin e tyre për furnizimin me armë të forcave rebele.

“Ju i shikoni të gjitha opsionet. Nuk do të thotë se i bëni ose do t’i bëni. Këto janë opsione që duhet të shqyrtohen me partnerët, me komunitetin ndërkombëtar. Cili është i mundur, çfarë mund të ndihmojë në përmbushjen e objektivave? Ne kemi përgjegjësi”, u ka thënë Hagel gazetarëve në Uashington.

Shtetet e Bashkuara kanë furnizuar forcat opozitare të Sirisë më ndihmë jovdekjeprurëse.

Disa zyrtarë amerikanë kanë shprehur shqetësimin se armët mund të bien në duart e militantëve anti-amerikanë.

Rebelët sunitë të Sirisë besohet se sigurojnë armë nga Katari dhe Arabia Saudite, ndërsa regjimi sirian është i lidhur me Iranin dhe Rusinë.

Konflikti civil në Siri ka shpërthyer në mars të vitit 2011. Sipas Kombeve të Bashkuara, mbi 70,000 njerëz kanë humbur jetën në luftime.