I dërguari amerikan do ta vizitojë Afganistanin

Sekretarja amerikane e shtetit, Hillari Klinton tha se i dërguari i posaçëm rajonal i Shteteve të Bashkuara, Mark Grosman do ta vizitojë Afganistanin javën e ardhshme.

Klinton tha se Grosman do t’i vazhdojë konsultat me afganët dhe gjithashtu do të shkojë në Katar për t’i vazhduar konsultat me partnerët e Amerikës.

Talibanët njoftuan javën e kaluar se donin që të hapnin një zyrë politike në Katar, një lëvizje që shihet si shenjë paralajmëruese e bisedimeve me amerikanët.

Uashingtoni vazhdimisht ka thënë se çfarëdo lloj bisedimesh të Shteteve të Bashkuara me talibanët do të duhej të zhvilloheshin me pajtim të qeverisë afgane.