Divjak kthehet në Sarajevë

Ish gjenerali boshnjak Jovan Divjak, i kërkuar për krime lufte nga Serbia, ka arritur sot në Sarajevë, pasi që gjykata austriake refuzoi kërkesën e Beogradit për ekstradim.

Divjak arriti me aeroplan nga Vjena- ku po priste vendimin e gjykatës që nga muaji mars.

Më herët një gjykatë në Korneuburg, e konsideroi “të papranueshme” kërkesën e Beogradit për ekstradim.

Divjak u kap në aeroportin e Vjenës në muajin mars, por u lirua pas pagesës prej 500 mijë eurosh, me kusht që të qëndronte në Austri.

Autoritetet serbe e akuzojnë gjeneralin Divjak për krime lufte, në lidhje me sulmin vdekjeprurës ndaj ushtrisë jugosllave në Sarajavë, në vitin 1992, në të cilin qenë vrarë 18 ushtarë.

Divjak hedh poshtë akuzat.