BAGDAD

Ushtria e Shteteve të Bashkuara njoftoi se tre ushtarë amerikanë janë vrarë në dy sulme të ndara në afërsi të Bagdadit. Poashtu u njoftua për vrasjen e 20 militantëve të Al-Kaidës, përfshi dy gra, gjatë sulmeve ajrore në krahinën Salahadin, mirëpo agjencitë e lajmeve njoftojnë se së paku 7 gra dhe 8 fëmijë janë vrarë në këto sulme.
Në zhvillime të tjera, një nga komandantët e lartë të ushtrisë amerikane në Irak, gjenerali Peter Kuhrell duke folur për zhvillimet e fundit në Irak, tha se shumica e trupave luftarake në Irak duhet të tërhiqen në fillim të vitit 2008, nëse irakienët arrijnë pajtim mes veti.
"Situata nuk mund të zgjidhet vetëm me mjete ushtarake. E di se është situatë jo e qetë për shumicën e njerëzve, por megjithatë, ka nevojë që të gjithë së bashku të angazhohen drejt zgjidhjes së këtij konflikti, me të gjitha përpjekjet si në qeveri, zhvillime ekonomike dhe tranzicion", tha gjenerali Kuhrell.