Ndërlidhjet

Zelensky falënderon Bidenin për angazhimin rreth Ukrainës


Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, dhe presidenti i SHBA-së, Joe Biden, gjatë takimit në samitin e NATO-s në Uashington, më 11 korrik, 2024.
Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, dhe presidenti i SHBA-së, Joe Biden, gjatë takimit në samitin e NATO-s në Uashington, më 11 korrik, 2024.

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, tha se vendi i tij e respekton “vendimin e vështirë, por të fuqishëm” të presidentit amerikan, Joe Biden, për t’u tërhequr nga gara për rizgjedhje.

Biden, 81 vjeç, u tërhoq më 21 korrik, duke i dhënë mbështetje zëvendëses së tij, Kamala Harris, për të garuar në zgjedhjet presidenciale të nëntorit.

“Ukraina është mirënjohëse ndaj presidentit Biden për mbështetjen e tij të palëkundur për luftën e Ukrainës për liri, e cila, së bashku me mbështetjen e fortë dypartiake në Shtetet e Bashkuara, kanë qenë dhe vazhdojnë të jenë vendimtare”, shkroi Zelensky në platformën X.

Nën udhëheqjen e Bidenit, SHBA-ja ishte mbështetëse e madhe e Ukrainës në luftën e saj kundër pushtimit të paprovokuar të Rusisë dhe, njëherësh, ofruesja kryesore e ndihmave ushtarake dhe financiare.

Biden arriti t’i bashkojë shpejt aleatët në mbështetje të Ukrainës, të cilët i siguruan dhjetëra miliarda dollarë, pasi Rusia filloi pushtimin e saj në shkallë të plotë, në shkurt të vitit 2022.

“Shumë vendime të forta janë marrë në vitet e fundit dhe ato do të mbahen mend si hapa të guximshëm të presidentit Biden, në përgjigje të kohërave sfiduese”, tha Zelensky.

“Ne do të jemi gjithmonë mirënjohës për udhëheqjen e presidentit Biden. Ai e mbështeti vendin tonë gjatë momentit më dramatik në histori”, shtoi ai.

Presidenca e Joe Bidenit
Ju lutem prisni
Bashkëngjite

No media source currently available

0:00 0:03:35 0:00

Ish-presidenti Donald Trump, i cili do të garojë për rizgjedhje si kandidat i Partisë Republikane, ka thënë vazhdimisht se nëse zgjidhet, ai do t’i japë fund luftës së Rusisë në Ukrainë.

Trump e ka përsëritur këtë zotim më 19 korrik gjatë një bisede telefonike me Zelenskyn, të cilën të dy udhëheqësit e kanë përshkruar si të mirë.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG