Ndërlidhjet

Sondazhi: Shumica e amerikanëve druajnë nga kaosi në vend


Ish-presidenti amerikan, Donald Trump, është plagosur gjatë një tubimi në Pensilvani më 13 korrik, 2024.
Ish-presidenti amerikan, Donald Trump, është plagosur gjatë një tubimi në Pensilvani më 13 korrik, 2024.

Amerikanët druajnë se vendi i tyre po rrëshqet në kaos, pas përpjekjes për të vrarë ish-presidentin Donald Trump, zbuloi një sondazh i kryer nga agjencia e lajmeve, Reuters, dhe kompania e kërkimeve, Ipsos.

Trump, i cili do të garojë në zgjedhjet presidenciale të nëntorit kundër presidentit aktual, Joe Biden, u plagos gjatë një tubimi në Pensilvani, më 13 korrik.

Sondazhi dyditor zbuloi se ai gëzon një epërsi të lehtë në mesin e votuesve të regjistruar, me 43 për qind mbështetje, kundrejt Bidenit me 41 për qind.

Por, 80 për qind e votuesve - përfshirë demokratë dhe republikanë - thanë se pajtohen me deklaratën se “vendi po del jashtë kontrollit”.

Rreth 84 për qind e tyre shprehën shqetësim se ekstremistët do të kryejnë akte dhune edhe pas zgjedhjeve.

Kjo shifër është në rritje nëse krahasohet me rezultatin e një sondazhi që Reuters dhe Ipsos kryen në muajin maj dhe që tregoi se 74 për qind e votuesve e kishin këtë shqetësim.

Frika nga dhuna politike në SHBA u rrit pasi disa mbështetës të Trumpit sulmuan ndërtesën e Kongresit amerikan më 6 janar të vitit 2021, në përpjekje për të përmbysur rezultatin e zgjedhjeve të vitit 2020, në të cilat Trump u mposht nga Biden.

Katër persona humbën jetën në ditën e sulmit, ndërsa një oficer i policisë që luftoi kundër rebelëve, vdiq të nesërmen.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG