Ndërlidhjet

Policia thotë se thasët me rërë që u gjetën në Zveçan ishin përdorur në barrikada


Një polic qëndron pranë objektit ku u gjetën thasë me rërë në Zveçan. 30 janar 2024.
Një polic qëndron pranë objektit ku u gjetën thasë me rërë në Zveçan. 30 janar 2024.

Policia e Kosovës tha se në një objekt publik në Zveçan ka gjetur disa materiale “të cilat janë shfrytëzuar nga grupet terroriste serbe në kohën e barrikadave”.

Zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës për rajonin e veriut, Veton Elshani, tha për Radion Evropa e Lirë se aksioni në Zveçan u realizua në bashkëpunim me Misionin e Bashkimit Evropian për Sundim të Ligjit (EULEX).

“Sot, gjatë kontrolleve që ka bërë Policia, ka konstatuar se në katin e tretë të kësaj ndërtese janë dhjetëra thasë të mbushura me rërë, që kanë qenë si istikame për të sulmuar Policinë dhe në mbrojtje të barrikadës dhe kontrollimin e rrugës kryesore që të dërgon në Zveçan”, tha ai.

Një pjesëtar i EULEX-it shihet pranë objektit ku po kryhen kontrolle në Zveçan. 30 janar 2024.
Një pjesëtar i EULEX-it shihet pranë objektit ku po kryhen kontrolle në Zveçan. 30 janar 2024.

Elshani tha se autoritetet kanë marrë informacione se potencialisht ka “diçka të paligjshme” në objektin që gjendet në hyrjen e Zveçanit nga drejtimi i Mitrovicës së Veriut.

Sipas Elshanit, objekti ku u gjetën thasët me rërë është shfrytëzuar nga pjesëtarët e “Mbrojtjes Civile” dhe “Brigadës së Veriut”.

"Mbrojtja Civile" dhe "Brigada e Veriut" janë shpallur organizata terroriste nga Qeveria e Kosovës dhe autoritetet kanë thënë se ato veprojnë në veriun e Kosovës, të banuar me shumicë serbe.

“Kjo është një dëshmi se grupet kriminale kanë qenë të armatosura rëndë dhe kanë pasur plane që të sulmojnë Policinë e Kosovës, në rast se ata do të tentonin t’i largonin barrikadat”, tha Elshani.

Thasë me rërë
Thasë me rërë

Zveçani është një ndër katër komunat në veri të Kosovës, të banuara me shumicë serbe.

Në të kaluarën, serbët lokalë kanë ngritur barrikada në rrugë, duke përdorur mjete të ndryshme të rënda, sikurse kamionët, për të bllokuar rrugët në shenjë pakënaqësie me vendime të ndryshme të Qeverisë së Kosovës.

Barrikadat e fundit që u ngritën në veriun e Kosovës – përfshirë në Zveçan – në dhjetor të vitit 2022, pas arrestimit të një ish-polici të Kosovës nga komuniteti serb, nën dyshimet se kishte sulmuar zyre të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në veri. Barrikadat u hoqën vetëm pasi ish-policit Dejan Pantiq, iu ndryshua masa e sigurisë nga paraburgim në arrest shtëpiak.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG