Ndërlidhjet

Një muaj paraburgim për burrin që dyshohet se vrau gruan në Graçanicë


Graçanicës, shtator 2023.
Graçanicës, shtator 2023.

Gjykata Themelore në Prishtinë i ka caktuar masën prej një muaji paraburgim, D.Zh. nga Gushterica e Poshtme e Graçaicës, i cili dyshohet se vrau gruan e tij.

"Gjykata vlerësoi se caktimin e masës së paraburgimit e arsyeton fakti, se nëse i pandehuri D.ZH gjendet në liri, ekzistojnë rrethana që tregojnë rrezikun se do të pengojë rrjedhën e procedurës penale, i njëjti mund të arratiset dhe mund të largohet nga vendi", u tha në njoftim.

Gruaja me inicialet M.Zh., nga Gushterica e Poshtme e komunës së Graçanicës, ndërroi jetë më 2 gusht në Qendrën Spitalore Klinike në Prishtinë, pasi burri i saj e kishte rrahur duke i shkaktuar lëndime të rënda.

Gjykata Themelore dha detaje të rastit. Në njoftim u tha se i pandehuri, D.ZH., pasi kishte përfunduar punën më 31 korrik, ishte ndalur në një kafene në fshatin Prelluzhë, ku kishte konsumuar alkool. Me t’u kthyer në shtëpi “e kishte kapur tani të ndjerën për koke duke e përplasur në shkallët e betonit dhe duke i shkaktuar lëndime trupore si dhe humbje të vetëdijes”.

M.Zh., e lindur më 1983, ishte transferuar në Prishtinë nga Qendra Spitalore Klinike në Graçanicë, ku u pranua në gjendje të rëndë mbrëmjen e 31 korrikut.

“Fatkeqësisht, ajo ka ndërruar jetë mëngjesin e sotëm. Ajo kishte një hemorragji në tru nga lëndimet e rënda, dhe ne nuk mundëm ta operonim në atë gjendje. Ajo ishte në makineri 24 orë në ditë”, tha për Radion Evropa e Lirë, drejtori i Qendrës Emergjente në Prishtinë, Naser Syla.

Paraprakisht, Prokuroria Themelore në Prishtinë njoftoi se fillimisht më 31 korrik rasti ishte iniciuar si “dhunë në familje” dhe “lëndim i rëndë trupor”, dhe i dyshuari ishte dërguar në ndalim prej 48 orësh.

Megjithatë, për shkak se në kohën kur i dyshuari ka qenë në ndalim bashkëshortja e tij ka ndërruar jetë, Prokuroria tha se ka riklasifikuar rastin në “vrasje e rëndë”.

Reagime për vdekjen e gruas nga Graçanica

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, u shpreh e indinjuar me rastin e ndodhur në Graçanicë.

“Ky akt mizor nuk është një incident i izoluar, por një veprim shqetësues i dhunës ndaj grave që kërkon veprim të menjëhershëm dhe vendimtar”, tha ajo përmes një postimi në Facebook.

Osmani kërkoi që institucionet e drejtësisë që përmes zbatimit të ligjeve dhe shqiptimit të dënimeve t’i japin fund femicidit.

“Fatkeqësisht, shohim tepër shpesh raste kur dhunuesit lirohen me dënime shumë më të ulëta sesa ato që parashihen me ligj”, u shpreh Osmani.

Ndërkaq, ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, tha se është e tronditur me ngjarjen në Graçanicë. Ajo tha se institucionet përgjegjëse duhet të angazhohen që të ketë një sistem i cili garanton që çdo rast i dhunës të trajtohet me seriozitet dhe të mbajë përgjegjës dhunuesit e vrasësit.

“Rastet e dhunës dhe vrasjet e grave janë realiteti i frikshëm dhe i papranueshëm dhe po angazhohemi në vazhdimësi që të ngremë vetëdijen shoqërore me qëllim të parandalimit të rasteve të dhunës dhe femicidit dhe që dhunuesit dhe vrasësit e grave të marrin dënimet maksimale”, shkroi ajo në Facebook.

Ndërkaq, aktivistja për të drejtat e grave dhe drejtoreshë e organizatës joqeveritare “Pravo na pravo” nga Graçanica, Milica Stojanoviq, në një prononcim për Radion Evropa e Lirë, tha se institucionet kanë dështuar sërish kur është fjala për dhunën ndaj grave.

“Ky përfundim tragjik ka ardhur pikërisht sepse institucionet nuk janë marrë sa duhet me këtë problem. Më e keqja është se institucionet ende heshtin. Policia është përgjigjur me kohë, njeriu është dërguar në mbajtje, por varet edhe nga institucionet tjera se çfarë do të ndodhë”, tha Stojanoviq.

Ajo shtoi se janë institucionet vendore ato që duhet të punojnë për fuqizimin e grave për të denoncuar në kohë dhunuesin dhe se institucionet e drejtësisë duhet të vendosin dënime më të rrepta për dhunuesit.

“Që të mos lirohen dhunuesit me gjobë, dhunuesi nuk duhet të lirohet asnjëherë 24 apo 48 orë pas ushtrimit të dhunës”, tha ajo dhe shton se në raste të tilla duhet të reagojë edhe shoqëria, sepse dhuna nuk është kurrë “çështje private”.

Rrjeti i Grave të Kosovës tha se rasti në Graçanicë është dëshmi e “dështimit të thellë të institucioneve tona për të mbrojtur gratë dhe vajzat nga dhuna me bazë gjinore”.

Kjo organizatë për të drejtat e grave kërkoi nga institucionet përgjegjëse që të trajtojnë me seriozitet raste të tilla.

“Derisa dhuna vazhdon të marrë jetët e grave tona, reagimi institucional mbetet i dobët dhe i pamjaftueshëm. Kjo është një dështim i rëndë që kërkon ndërhyrje urgjente dhe përgjegjësi të qartë”, u tha në reagimin e kësaj organizate.

Rrjeti i Grave të Kosovës u bëri thirrje grave dhe vajzave që të raportojnë dhunën “duke shpresuar se me veprimin tonë të përbashkët do të arrijmë të zvogëlojmë rastet e femicidit”.

“Vrasja e grave në shoqërinë tonë mbetet ndër brengat kryesore, për të cilën duhet të ngremë zërin të gjithë ne, vazhdimisht dhe pa asnjë kompromis. Reagimi i duhur institucional ndaj këtyre rasteve është thelbësor për luftimin e tyre dhe për krijimin e një shoqërie ku vajzat dhe gratë gëzojnë një jetë të barabartë dhe pa dhunë me bazë gjinore”, u tha në reagim.

Gjatë muajit prill, dy gra u qëlluan nga burrat e tyre brenda pak ditësh.

Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani më pas u bëri thirrje institucioneve të sigurisë dhe drejtësisë, shoqërisë civile, qytetarëve, grave dhe burrave që të punojnë së bashku për të ndalur dhunën me bazë gjinore, “e cila njollos vendin tonë dhe që mund ta shkatërrojë atë nga brenda”.

Nga viti 2010 deri në prill të vitit 2024, në Kosovë janë vrarë 57 gra.

Në të shumtën e rasteve, autorë të vrasjeve kanë qenë bashkëshortët, pastaj baballarët dhe djemtë.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG