Ndërlidhjet

Kuvendi dështon ta miratojë një rezolutë që kërkon uljen e çmimit të rrymës 


Kuvendi i Kosovës. Fotografi nga arkivi.
Kuvendi i Kosovës. Fotografi nga arkivi.

Kuvendi i Kosovës ka dështuar ta miratojë të enjten një draft-rezolutë të propozuar nga opozita për uljen e çmimit të energjisë elektrike, pasi deputetët e partisë në pushtet, Lëvizja Vetëvendosje, abstenuan.

Me 29 vota për, asnjë kundër dhe 55 abstenime, draft-rezoluta nuk i mori votat e nevojshme.

Kjo është hera e dytë që kjo draft-rezolutë - e propozuar nga Partia Demokratike, Lidhja Demokratike dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës – dështon në Kuvend, pasi partia e kryeministrit Albin Kurti e kishte braktisur seancën e kaluar kur ajo pritej të hidhej në votim më 18 janar.

Rezoluta nuk ishte konsideruar serioze nga Lëvizja Vetëvendosje.

Ky propozim erdhi pasi shumë kosovarë u ankuan në rrjetet sociale gjatë dhjetorit se fatura e rrymës për muajin e fundit të vitit u kishte ardhur shumë më e lartë krahasuar me faturën e muajit paraprak, apo të të njëjtit muaj të vitit paraprak, duke ngritur shqetësime se çmimi i rrymës mund të jetë rritur.

Në atë kohë, Kompania Kosovare për Furnizim me Energji Elektrike (KESCO) kishte shpjeguar se vlera e faturës së muajit dhjetor është rritur si pasojë e “shpenzimit më të madh të rrymës” dhe mossubvencionimit të konsumatorëve kursimtarë nga Qeveria e Kosovës krahasuar me një vit më parë.

Përmes draft-rezolutës, kërkohej që Zyra e Rregullatorit të Energjisë Elektrike (ZRRE) dhe Qeveria ta ulnin çmimin e energjisë “në harmoni me rrethanat socio-ekonomike dhe nivelin e çmimit të energjisë në tregun ndërkombëtar”.

Ajo gjithashtu bënte thirrje për shfuqizimin e bllok-tarifës për konsumatorët familjarë.

Ndërkaq, nga Qeveria kërkohej që të ndërmarrë masa, për “krijimin e parakushteve financiare për anulimin e menjëhershëm të vendimit për shtrenjtimin e energjisë elektrike dhe lehtësimin e barrës financiare për konsumatorët familjarë të energjisë elektrike”.

Cilat janë çmimet e rrymës?

Sipas tarifave të fundit, të miratuara në muajin prill nga ZRRE-ja, për konsumatorët që shpenzojnë deri në 800 kilovat në orë brenda një muaji, çmimi gjatë ditës është 7.79 centë për kilovat, ndërsa për ata që shpenzojnë më shumë se 800 kilovat, pjesa mbi këtë u llogaritet me çmim prej 14.45 centësh.

Nga ora 22:00 deri në 7:00 të mëngjesit, çmimi për kilovat është 3.34 centë për ata që shpenzojnë deri në 800 kilovate dhe 6.81 centë për atë që shpenzojnë më shumë.

Çmimet kanë nisur të marrin hov në fillim të vitit të kaluar, kur Rusia ka nisur pushtimin e Ukrainës.

Nga muaji shtator i vitit të kaluar deri në muajin prill të këtij viti, Qeveria e Kosovës i ka subvencionuar konsumatorët që kanë kursyer së paku 5 për qind të rrymës në muaj, krahasuar me muajin e njëjtë të vitit paraprak. Këta konsumatorë kanë përfituar dyfishin e përqindjes së kursyer.

Në gusht, Instituti për Politika Zhvillimore - INDEP, i cili merret me çështje energjetike, ka kërkuar nga Qeveria e Kosovës që të vazhdojë me subvencionimin e qytetarëve, por një gjë e tillë nuk ka ndodhur.

Sipas KESCO-s, mungesa e subvencionimit është një ndër arsyet përse qytetarët vërejnë rritje të faturave.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG