Ndërlidhjet

Gazetari mik i Kremlinit përjashtohet nga grupi gjerman i gazetarisë


Presidenti rus, Vladimir Putin, gjatë intervistës me gazetarin gjerman, Hubert Seipel - fotografi arkivi
Presidenti rus, Vladimir Putin, gjatë intervistës me gazetarin gjerman, Hubert Seipel - fotografi arkivi

Shoqata gjermane e gazetarisë hulumtuese, Netzwerk Recherche (NR), përjashtoi gazetarin dhe autorin me ndikim, Hubert Seipel, pasi u bë e ditur se ai mori para nga Moska për të shkruar libra në favor të presidentit rus, Vladimir Putin.

Një hetim i përbashkët, i udhëhequr nga transmetuesi gjerman ZDF, zbuloi në nëntor të vitit 2023 se Seipel, i cili e intervistoi Putinin dhe shkroi dy libra për të, mori 600.000 euro nga oligarku i lidhur me Kremlinin, Aleksei Mordashov.

“Seipel ka shkelur rregullat bazë të gazetarisë së pavarur me sjelljen e tij dhe ka shkaktuar dëme të mëdha në reputacionin e profesionit tonë”, tha për ZDF-in kryetari i rrjetit Netzwerk Recherche, Daniel Drepper.

Më herët, gazetari gjerman, Seipel, ka konfirmuar për ZDF-in se ka pranuar “mbështetje financiare përmes Mordashovit”, por ka thënë se “kjo nuk ka ndikuar në përmbajtjen e librave të tij në asnjë mënyrë”.

Seipel ka thënë se e ka takuar Putinin “gati 100 herë” dhe se ka qenë një prej pak gazetarëve perëndimorë që ka pasur kontakt të drejtpërdrejtë me udhëheqësin rus.

Libri i tij me titullin “Fuqia e Putinit: Pse Evropa i duhet Rusisë?” është publikuar në vitin 2021, pas një biografie të publikuar më 2015 me titullin “Putin: Përbrenda pushtetit”.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG