Ndërlidhjet

Shqipëria mposhtet nga Italia në ndeshjen e parë të grupit në Euro 2024


Alessandro Bastoni i Italisë në duel me Arbër Hoxhën e Shqipërisë gjatë përballjes mes Shqipërisë dhe Italisë në ndeshjen e Grupit B në Kampionatin Evropian të futbollit Gjermania 2024, Dortmund, 15 qershor 2024.
Alessandro Bastoni i Italisë në duel me Arbër Hoxhën e Shqipërisë gjatë përballjes mes Shqipërisë dhe Italisë në ndeshjen e Grupit B në Kampionatin Evropian të futbollit Gjermania 2024, Dortmund, 15 qershor 2024.

Shqipëria është mposhtur 2:1 nga kampionia në fuqi Italia në ndeshjen e saj të parë në Grupin B në Kampionatin Evropian 2024, të shtunën mbrëma në Dortmund të Gjermanisë.

Dy herë kampionia evropiane fitoi me përmbysje përballë kuqezinjve, falë dy golave të shpejtë nga Alessandro Bastoni dhe Nicolo Barella, pasi Nedim Bajrami e kishte kaluar Shqipërinë në epërsi pak çaste pasi nisi ndeshja në stadiumin Signal Iduna Park.

Italia tani ka tri pikë, aq sa ka Spanja, e cila e mundi 3:0 Kroacinë në ndeshjet tjetër të këtij grupi, që u zhvillua të shtunën më herët.

Shqipëria dhe Kroacia janë pa pikë dhe ato do të përballen mes vete të mërkurën më 19 qershor.

Italia, e cila do të takohet me Spanjën në ndeshjen e radhës, e mbizotëroi Shqipërinë me lojë dhe krijoi më shumë raste shënimi, por nuk qe në gjendje t'i shfrytëzojë mundësitë e shumta.

Bjarami shënoi vetëm 23 sekonda pasi nisi ndeshja, pasi shfrytëzoi një top të kthyer gabimisht në zonë nga Federico Di Marco, duke e thyer rekordin për golin më të shpejtë në historinë e këtij turneu.

Por, Italia u përgjigj duke e barazuar rezultatin në minutën e 11-të përmes Bastonit, i cili shënoi me kokë nga afërsia pasi u harrua i vetëm në shtyllën e dytë, dhe kaloi në epërsi kur Barella realizoi gol të mrekullueshëm me një goditje nga largësia pesë minuta më vonë.

Kjo është hera e dytë që Shqipëria merr pjesë në Kampionatin Evropian, pas debutimit në Euro 2016, para 10 vjetëve në Francë.

Euro 2024: Çfarë duhet të dini për Kampionatin Evropian të futbollit
Ju lutem prisni

No media source currently available

0:00 0:02:02 0:00

XS
SM
MD
LG