Ndërlidhjet

Rusia shpall REL-in “organizatë të padëshirueshme”


Fotografi nga arkivi.
Fotografi nga arkivi.

Rusia e ka shpallur Radion Evropa e Lirë (REL) si “organizatë të padëshirueshme”, sipas një regjistri të Ministrisë ruse të Drejtësisë, duke i ekspozuar kështu gazetarët, personat që punojnë për organizatën, dhe personat që intervistohen, ndaj ndjekjeve penale.

Në përditësimin e fundit të regjistrave, REL-i është shpallur i “padëshirueshëm”, qysh më 2 shkurt, një përshkallëzim prej vendimit të kaluar për ta shpallur “agjent të huaj”.

Vendimi është bërë publik më 20 shkurt.

Sipas regjistrit, REL-i është entiteti i 142-të që është përfshirë në listë.

Presidenti i Radios Evropa e Lirë, Stephen Capus, ka thënë se ky vendim përbën shembullin e fundit se si Qeveria ruse e sheh raportimin e vërtetë si kërcënim ekzistencial.

“Miliona rusë janë mbështetur te ne për dekada – përfshirë audiencat që kanë thyer rekorde ditëve të fundit prej vdekjes së Aleksei Navalnyt – dhe ky tentim për të na zënë frymën, vetëm do ta bëjë REL-in që të punojë më shumë për t’i shërbyer popullit rus gazetari të lirë dhe të pavarur”, ka thënë Capus përmes një deklarate.

Ligji për “organizata të padëshirueshme” është miratuar më 2015, dhe është përkrahur prej Kremlinit, për të rregulluar organizatat joqeveritare që pranojnë fonde prej jashtë.

Ky ligj prek organizatat, aktivitetet e të cilave, sipas autoriteteve ruse, përbëjnë kërcënim për themelet e strukturës kushtetuese të shtetit, për sigurinë, dhe mbrojtjen.

Përfshirja në listë nënkupton që një organizatë nuk mund të operojë në Rusi, dhe qytetarëve të Rusisë u ndalohet bashkëpunimin me të, sepse në të kundërtën rrezikohen nga ndjekja penale.

Sipas Komitetit për Mbrojtje të Gazetarëve, autoritetet ruse kanë shpallur dhjetëra organizata mediale si “të padëshirueshme” prej vitit 2021.

Aty përfshihen shumë media të pavarura, disa prej të cilave tani ose janë mbyllur, ose veprojnë jashtë Rusisë, përfshirë: Dozhd TV, Meduza, Novaya Gazeta Europe, iStories, The Insider, Bellingcat dhe Proekt.

Radio Evropa e Lirë është korporatë e pavarur amerikane, e financuar prej Kongresit amerikan, përmes Agjencisë së SHBA-së për Media Globale.

Radio Evropa e Lirë ka prezencë përmes 27 gjuhëve në 23 shtete – kryesisht për audiencat ku liria e mediave është e kufizuar.

Faqet dhe llogaritë e REL-it nëpër rrjetet sociale, përfshirë faqet e Shërbimit rus të kompanisë, janë bllokuar prej Roskomnadzor-it, agjencisë federale që monitoron mediat ruse, në pranverë të vitit 2022, për shkak të refuzimit për të hequr informacionin për luftën e nisur prej Rusisë në Ukrainë.

Pavarësisht bllokadave, interesimi i audiencës për informacionin që ofron REL-i dhe Current Time – televizion i krijuar prej Radios Evropa e Lirë dhe Zërit të Amerikës – vazhdon të jetë i madh, pasi kompania regjistron miliona klikime nëpër faqet e saj në internetit dhe në plaformat tjera që ka.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG