Ndërlidhjet

Qeverisë i bëhet presion për të përshpejtuar ndryshimet në Ligjin për Specialen

E përditësuar
Kabineti qeveritar i udhëhequr nga kryeministri Albin Kurti dhe shefja e grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Arbërie Nagavci, gjatë seancës më 27 prill 2026.
Kabineti qeveritar i udhëhequr nga kryeministri Albin Kurti dhe shefja e grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Arbërie Nagavci, gjatë seancës më 27 prill 2026.

Partia Demokratike e Kosovës (PDK) dhe Organizata e Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) i kanë bërë thirrje Qeverisë së udhëhequr nga Lëvizja Vetëvendosje (LVV) që të mos e zvarrisin procedurën për ndryshimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë.

PDK-ja e dorëzoi projektligjin me ndryshimet e propozuara në Kuvend më 21 shtator, ndërsa Qeveria e pranoi për mendim më 25 shtator dhe ka afat 30 ditë për t’iu përgjigjur Kuvendit.

Nënkryetari i OVL-UÇK-së, Gazmend Syla, tha se pas deklaratës të së hënën nga Kuvendi në mbështetje të UÇK-së duhet të ndërmerren veprime konkrete dhe se Qeveria duhet ta përcjellë menjëherë projektligjin në Kuvend.

Ai paralajmëroi se veteranët do të reagojnë nëse Kuvendi shpërndahet pa e trajtuar projektligjin.

“Nëse nuk bëhet, ne nuk do të rrimë duarkryq. Do të dalim në rrugë”, tha Syla.

Thirrjet për përshpejtimin e procedurës vijnë në një kohë kur Kuvendit i kanë mbetur pak ditë deri në përfundimin e afatit për zgjedhjen e presidentit. Afati përfundon më 6 tetor dhe, nëse presidenti nuk zgjidhet deri atëherë, Kuvendi shpërndahet.

Në një konferencë për media të mbajtur sot, PDK-ja kërkoi që projektligji të trajtohet para këtij afati. Deputeti Përparim Gruda tha se është e papranueshme që Kuvendi të shpërndahet pa e shqyrtuar nismën.

“Nuk mund të mos paralajmërojmë që është e papranueshme që të lejojmë që ky Kuvend të shpërbëhet - se duket që ky është qëllimi - pa e trajtuar këtë ligj”, tha Gruda.

Ndërkaq, shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Arian Tahiri, tha se çështja e ligjit nuk duhet të lidhet me zgjedhjen e presidentit.

PDK-ja e dorëzoi projektligjin në Kuvend më 21 shtator, disa ditë pasi Dhomat e Specializuara dënuan me gjithsej 81 vjet burgim katër ish-udhëheqës të UÇK-së: Hashim Thaçin, Jakup Krasniqin, Kadri Veselin dhe Rexhep Selimin.

Në dokumentin e propozuar, të cilin e ka parë Radio Evropa e Lirë, kërkohet, ndër të tjera, që dënimi maksimal që mund të shqiptohet nga Dhomat e Specializuara të jetë 15 vjet burgim dhe që personat e dënuar të mund të jenë subjekt i faljes presidenciale.

Projektligji iu dërgua Qeverisë për mendim më 25 shtator, pas mbledhjes së parë të Kryesisë së Kuvendit të legjislaturës së 11-të.

Nismën e PDK-së e ka mbështetur Aleanca, ndërsa LVV-ja ka thënë po e shqyrton fillimisht në aspektin juridik.

Nga Lidhja Demokratike e Kosovës kanë thënë se qëndrimi i kësaj partie do të bëhet i ditur pasi ta pranojë zyrtarisht tekstin e projektligjit.

Kryeparlamentarja Albulena Haxhiu tha se projektligjin e PDK-së e ka dërguar te një ekip ekspertësh, por se ende nuk mund të japë vlerësim për përmbajtjen e tij.

Ajo, megjithatë, kritikoi mungesën e konsultimeve gjatë hartimit të tij, duke thënë se do të ishte më e drejtë që projektligji të hartohej nga Komisioni për Legjislacion ose që paraprakisht të konsultoheshin ekipet mbrojtëse të katër ish-krerëve të UÇK-së dhe ekspertë të fushës.

Ndërkohë, Radio Evropa e Lirë i ka kërkuar Qeverisë të hënën të sqarojë se kur pritet t’ia përcjellë Kuvendit mendimin për projektligjin, por deri në publikimin e këtij lajmi nuk ka pranuar përgjigje.

​
XS
SM
MD
LG