Ndërlidhjet

Tri opsione për qeverinë


Prishtinë
Prishtinë
Analistët politikë parashohin mjaft sfida rreth formimit të qeverisë së ardhshme të Kosovës. Sipas tyre, në rast se dështojnë përpjekjet e partisë fituese për formimin e qeverisë, kurse qeveria teknike nuk gjen mbështetje, atëherë mund të vijë në shprehje edhe opsioni i tretë - ai i qeverisë me bazë të gjerë.


Analistët politikë në Prishtinë parashohin tri opsione rreth formimit të qeverisë së ardhshme – fillimisht, formimin e një koalicioni qeverisës, i cili tash për tash vlerësohet se mund të jetë mjaft i brishtë dhe jostabil; së dyti, një qeveri teknike që do ta përgatiste vendin për të hyrë në zgjedhje të reja dhe, së treti, formimin e një qeverie gjithëpërfshirëse, e cila po ashtu do të formohej mbi bazën e një marrëveshjeje deri në zgjedhjet e reja.

Analisti Shkëlzen Maliqi, në një prononcim për Radion Evropa e Lirë, thotë se matematika e numrave në Kuvend rreth formimit të koalicionit të ardhshëm qeverisës, do të sqarohet pas 9 janarit.

Ai parasheh që Partia Demokratike e Kosovës, si partia fituese, do të detyrohet të lidhë marrëveshje me Aleancën Kosova e Re, e ndoshta edhe me Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës, që t’i sigurojë numrat e nevojshëm në Kuvend.

Por, sipas Maliqit, gjërat mund të komplikohen për këtë parti pas 9 janarit, kur pritjet janë që PDK-ja të humb ndonjë ulëse në Kuvend, krahasuar me rezultatin preliminar të prezantuar tashmë nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve.

“Pas korrigjimit të votës më 9 janar, supozohet se në Drenicë, PDK-ja nuk do të ketë aq vota sa kishte më 12 dhjetor. Atëherë mund të dalë edhe ky koalicion (PDK-AKR) si shumë diskutabil dhe jo i qëndrueshëm”.

“Prandaj, mund të imponohet që të formohet koalicioni edhe me AAK-në, ose vetëm me AAK-në, sepse AAK-ja supozohet se do të ketë më shumë mandate sesa AKR-ja”,
thotë Maliqi.

Qeveria e Kosovës
Duke u ndërlidhur me idenë e Isa Mustafës për formimin e një qeverie teknike, Maliqi, megjithatë, i jep përparësi fillimisht formimit të qeverisë si rezultat i zgjedhjeve.

“Nuk e shoh udhën ose mundësinë që të ketë qeveri teknike, por, megjithatë, të respektohet vota e shumicës që supozohet se kanë votuar ndershëm”, thekson Maliqi.

Marrë parasysh se Partia Demokratike e Kosovës nuk ka fituar shumicën e nevojshme për formimin e qeverisë, analisti tjetër, Ramush Tahiri, thotë për Radion Evropa e Lirë se PDK-ja do të detyrohet që, përveç pakicave, të provojë formimin e qeverisë me Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës dhe Aleancën Kosova e Re.

Mirëpo, të dyja këto subjekte politike i kanë edhe parakushtet e veta, kështu që Tahiri parasheh mjaft vështirësi për PDK-në rreth formimit të koalicionit të ardhshëm qeverisës.

“Rezultatet e numrave nuk i japin një komoditet PDK-së që ta krijojë qeverinë, sepse nëse e krijon, ta zëmë me AKR-në, atëherë i merr 45 deputetë dhe të tjerët i siguron me minoritetet, të cilat duket se kanë më shumë numra, sesa që është menduar fillimisht”.

“Nëse e krijon edhe me AAK-në dhe me AKR-në, atëherë është çështje tjetër se çka kërkojnë ato si pjesë të koalicionit”
, thotë Tahiri.

Kontestimi i rezultatit të zgjedhjeve nga partitë politike, siç është tashmë rasti nga Lidhja Demokratike e Isa Mustafës, do të rrezikonte çuarjen e vendit në bllokadë institucionale, thotë Ramush Tahiri.

Një gjendje e tillë pas 9 janarit do të sillte në shprehje idenë e proklamuar tashmë nga Isa Mustafa, që të formohet një qeveri teknike deri në zgjedhje. Por, Tahiri thotë se edhe një ide e tillë kërkon një konsensus gjithëpartiak.

“Nëse ndodh që qeveria teknike të formohet si imponim, atëherë është jofunksionale. Nëse nënkuptojmë që në qeveri teknike nuk shkojnë personat e parë, por personat e dytë e të tretë të partive politike, atëherë vendimmarrja krijohet, të themi në parti politike, në kryesitë dhe forumet e tyre, që do ta bënte shumë të dobët këtë qeverisje”, vlerëson Tahiri.

Opsioni i tretë rezervë, sipas analistëve, është formimi i një qeverie gjithëpërfshirëse me një marrëveshje paraprake rreth mandatit të saj dhe periudhës deri në zgjedhjet e reja.

Sidoqoftë, secili opsion që tashmë qarkullon si serioz, ka pas vetes edhe idenë e zgjedhjeve të reja të parakohshme, për shkak të jostabilitetit politik e institucional që kanë prodhuar si rezultat zgjedhjet e fundit të 12 dhjetorit.

Lexoni edhe këtë:
Kalkulimet për koalicion

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG